Vazhdon lyerja e Urës së Ibrit, KFOR-i shton praninë

Prishtinë | 12 Gus 2024 | 13:22 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Punimet në Urën e Ibrit kanë vazhduar edhe të hënën, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj, raporton Ekonomia Online.

Punëtorët e kompanisë së angazhuar me tender nga Qeveria janë duke e lyer urën, qe gati një javë. Pas këmbëve dhe mureve nën urë, sot ata po i lyenin edhe “bedenat” dhe pjesë të tjera mbi urë.

Ndërkohë vërehet prani e shtuar e KFOR-it.

Rreth mesditës, së paku tri vetura të karabinierëve italianë ishin “stacionuar” mbi urë dhe po vëzhgonin situatën.

Të enjten është bërë testimi i qëndrueshmërisë së Urës mbi Ibër në Mitrovicë. Për këtë qëllim mbi urë kanë qëndruar kamionë të rëndë ndërkohë që gjithë aksioni është “inspektuar” nga ministra e zyrtarë të tjerë, me praninë e medieve.

Një raport mbi kapacitetin mbajtës të urës, sipas Ministrisë së Mjedisit, pritet të dalë këto ditë, pasi është bërë testimi me kamionë të ngarkuar rëndë.

Hapjen e urës e kanë kundërshtuar ShBA-ja dhe BE-ja, duke e cilësuar vendim të njëanshëm të Qeverisë.

Të ngjashme