Thirrjes së Kryetarit të Komunës, Ramiz Lladrovci për të ndihmuar personelin shëndetësorë në rast nevoje, në këtë situatë emergjente shëndetësore, vazhdojnë t’i përgjigjen shumë vullnetarë doktorë e infermierë.
Doktori i Mjekësisë së Përgjithshme, Dr. Burim Fazliu, ka shprehur gatishmërinë që vullnetarisht të ndihmoj qytetarët e komunës sonë, për të tejkaluar situatën e krijuar nga virusi COVID-19. Vlen të theksohet se Dr. Burim Fazliu për më shumë se 9 muaj ka punuar vullnetarisht në QKMF “Dr.Hafir Shala”, në Drenas.
Vullnetarisht, thirrjes së Kryetarit Lladrovci, e kanë shprehur edhe disa infermierë për të kontribuar dhe ata janë; Besian Binaku, Donjeta Shala, Gresa Fejzullahu e Valbonë Berisha.
Paraqitjen vullnetare të doktorit Fazliu dhe infermierëve të tjerë, kryetari Lladrovci e ka vlerësuar shumë dhe ka falënderuar e përgëzuar të gjithë ata që po tregojnë gatishmërinë dhe përkushtimin për të ju bashkëngjitur personelit shëndetësor në QKMF në Drenas. Vullnetarët i ka quajtur heronj dhe krenari e vendit për të menaxhuar situatën së bashku.
Numri i vullnetarëve për secilën ditë po rritet, mirëpo nevojat për tu pajisur me maska, dorëza e dezinfektues janë të mëdha për stafin shëndetësor të Drenasit.
Andaj, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë, që të furnizojnë QKMF-në në Drenas dhe QMF-në në Komoran, me pajisje të nevojshme mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.
Deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me virus COVID-19 në Drenas dhe Shtabi Emergjent po e mbikëqyrë situatën dhe po zbaton rekomandimet e Institutit Kosovar të Shëndetësisë Publike dhe udhëzimet e dala nga Qeveria e Republikës së Kosovës.