Vazhdon pastrimi i rrugëve në Prishtinë

Prishtinë | 20 Mar 2020 | 10:29 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Prishtinës ka vazhduar me pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve dhe hapësirave të tjera publike si masë parandaluese për mos përhapjen e Coronavirusit, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se të enjten ka vazhduar në shumë pjesë të qytetit larja dezinfektimi në rrugët kryesore dhe lagjet: Kodra e Trimave,  Kolovica, Arbëria, Kacallarët, Mati1, Muhaxherët, Pjesa e vjetër e qytetit, Kalabria dhe lagja Qëndresa. 

Ai ka njoftuar se gjatë së premtes do të vazhdohet me pastrim në lagjet si: Matiçani, Ulpiana, Bregu i Diellit, Hajvalia dhe Veterniku.

Ky aksion ka filluar me 17 mars dhe po vazhdon në pjesë të ndryshme të kryeqytetit.

Aksioni do të realizohet dy deri në tri herë brenda javës nga gjashtë kompani të kontraktuara nga komuna.

Ky veprim i komunës vije pas dezinfektimit të autobusëve urban e mbylljes së qendrave për të moshuar.

Medina Braha, drejtoreshe e Shërbimeve Publike, në një intervistë për Ekonomia Online ditë më parë tha se larja e rrugëve duhet të bëhet kur temperatura minimale është mbi 5 gradë celsius.

Pas mesnate në laboratorët e IKShPK-së u konfirmua një rast i ri pozitiv me COVID-19, duke quar numrin në të infektuar.

Masat që miratoi Qeveria pas paraqitjes së rasteve me Coronavirus:

1. Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë);

2. Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm (deri në një vendim tjetër).

3. Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese.

4. Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së (moszbatimi i dënueshëm sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). Në rast se personat e caktuar nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohen të vendosen në karantinat e përbashkëta të caktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

5. Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër.

6. Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.

7. Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë.

8. Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

9. Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

10. Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.

11. Personat të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Të ngjashme