Vazhdon “rehatimi” i militantëve partiakë, drejtor i spitalit të Pejës bëhet anëtari i LVV-së

Prishtinë | 19 Mar 2022 | 18:31 | Nga Ekonomia Online

Kirurgu Fazli Shala në vitin 2020 i ishte bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Njoftimin për këtë e kishte dhënë kryeministri aktual Albin Kurti. Dy vite më vonë, Shala është emëruar Drejtor i Spitalit të Pejës, pas rezultateve të konkursit që u shpallën nga Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës.

Më 26 qershor të vitit 2020, Fazli Shala bashkë me disa doktorë të tjerë u anëtarësuan në Lëvizjen Vetëvedosje, derisa Kurti kishte thënë se partia e tij është e vetmja që i promovon mjekët, raporton Demokracia.com.

Por, përveç promovimit, LVV-ja duket s’e kirurgut Shala ia mundësoi edhe emërimin në një pozitë të re, atë të drejtorit të spitalit rajonal të Pejës.

SHSKUK-ja të premten ka shpallur rezultatet përfundimtare të konkursit për drejtor të katër spitaleve rajonale, në mesin e tyre edhe ai i Pejës.

Siç vërehet në pikët që figurojnë te rezultatet, Fazli Shala ia ka dalë të zgjidhet drejtor i spitalit, ani pse vlerësimin e CV-së e ka me vetëm 6.0 pikë, raporton Demokracia.com.

Shkëlzen Elezaj në anën tjetër, kundërkandidat në këtë konkurs, vlerësimin e CV-së e ka 8.0. Ndërkaq, kandidati tjetër, Besnik Ibraj, ka marrë 41.2 pikë në intervistë.

Demokracia.com e ka kontaktuar Shalën për ta pyetur nëse partia në të cilën ai bën pjesë, Lëvizja Vetëvendosje, ka pasur ndikim në emërimin e tij, por i njëjti nuk është përgjigjur duke e ndalur telefonin.

Lidhur me anëtarësimin e tij në LVV figurojnë shumë raportime të mediave, ku thuhej se ai u kishte prirë doktorëve të tjerë që të bëhen pjesë e këtij subjekti.

Demokracia.com gjatë së shtunës ka raportuar se edhe në spitalin e Gjilanit është zgjedhur drejtor një përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht Arsim Emini.

I njëjti, dyshohet se nuk e ka të kryer as magjistraturën e doktoraturën, por është vetëm specializant.

Agreta Gecaj – Gashi, kryesuesja e bordit të SHSKUK-së, duket të ketë qenë një prej shtysave kryesore që ai ta marrë këtë pozitë, duke e favorizuar kështu në konkurs.

Të ngjashme