Vazhdon rënia e lindjeve në Shqipëri

Prishtinë | 14 Gus 2018 | 12:55 | Nga

Kriza demografike e Shqipërisë vazhdon të thellohet. Instituti i Statistikave raportoi se në tremujorin e dytë të këtij viti, lindjet në shkallë kombëtare ranë me 25.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo do të thotë se, për periudhën maj-qershor të këtij viti u regjistruan 1.891 lindje më pak, sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Lindshmëria në Shqipëri po bie me ritme të shpejta, duke paralajmëruar një krizë të thellë demografike në të ardhmen. Ky është tremujori i dytë rresht që lindjet shënojnë rënie të fortë dyshifrore. Madje, në tremujorin e parë të vitit, shtesa e popullsisë rezultoi negative, pasi numri i lindjeve rezultoi më i ulët sesa ai i vdekjeve.

Përkeqësimi i treguesve demografikë tashmë është kthyer në një trend të pandalshëm. Vitin e kaluar, numri i lindjeve në Shqipëri shënoi nivelin më të ulët që nga viti 1930, kohë në të cilën shteti shqiptar krijoi për herë të parë Regjistrin Civil. Por, ky rekord negativ pritet të përkeqësohet sërish këtë vit, pasi për gjysmën e parë të vitit, lindshmëria ka vazhduar të bjerë me ritme dyshifrore.

Sipas të dhënave zyrtare, në 3 dekadat e fundit popullsia e Shqipërisë është ulur me rreth 410 mijë vetë. Por, shkaku i kësaj rrudhjeje ka qenë i lidhur vetëm me emigrimin masiv të shqiptarëve. Tani, vendi po kërcënohet edhe nga shtesa natyrore negative e popullsisë, pra rënia e lindshmërisë nën nivelin e vdekjeve, çfarë do ta thellojë edhe më shumë tkurrjen e popullsisë.

Ky skenar i frikshëm për Shqipërinë u paralajmërua edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila në një raport të këtij vitit parashikon se, brenda një shekulli, popullsia e Shqipërisë mund të rrudhet edhe nën 1 milion vetë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme