Vazhdon të rritet numri i të vdekurve nga Ebola në RD të Kongos

| 01 Kor 2019 | 10:45 | Nga

Në Republikën Demokratike të Kongos për shkak të epidemisë së Ebolës, e cila është shfaqur që nga korriku i vitit të kaluar është rritur në 1.469 numri i personave që kanë vdekur në këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në RD të Kongos, në epideminë që u shfaq në rajonin verior Kivu dhe u përhap në rajonin Ituri, janë regjistruar 2.325 raste të etheve hemorragjike, nga të cilët 2.231 bartin virusin Ebola.

Derisa 1.469 persona kanë vdekur thuhet se 644 bartës të tjerë të virusit janë shëruar ndërkohë që në qendrat për Ebolën vazhdon trajtimi i 118 personave.

Po ashtu kanë vdekur edhe 94 persona nga rastet e etheve hemorragjike të cilët nuk janë përcaktuar nëse buron nga virusi Ebola.

Në kuadër të fushatës së nisur në rajon më 8 gusht 2018 janë vaksinuar 146.316 persona.

Virusi Ebola, i cili shkakton një lloj ethe hemorragjike, u shfaq për herë të parë në vitin 1976 me dy shpërthime të njëkohshme në rajonin Nzara të Sudanit dhe në rajonin Yambuku në RD të Kongos. Për shkak se epidemia në RD të Kongos u shfaq në një fshat pranë lumit Ebola, kjo sëmundje mori emrin e këtij lumi.

Në dhjetor 2013 virusi Ebola u përhap edhe në Afrikën Perëndimore. Në epideminë e shfaqur në vitet 2014-2017 në Guine, Liberi dhe Sierra Leone, virusi u përhap tek 30 mijë persona ndërsa humbën jetën më shumë se 11 mijë persona.

Të ngjashme