Vdekja e 53 personave në kamionin në Teksas: Shoferi nuk e dinte që s’po punonte kondicioneri

Prishtinë | 02 Kor 2022 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Shoferi i dyshuar i kamionit ku u gjetën të vdekur 46 emigrantë, derisa edhe shtatë të tjerë vdiqën gjatë trajtimeve në spital, si pasojë e goditjes nga nxehtësia në San Antonio të Teksasit, ka deklaruar se nuk e dinte që kondicioneri nuk ishte duke punuar.

Sipas dokumenteve të gjykatës, shoferi Homero Zamorano, nuk ka qenë në dijeni se kamionit nuk po i funksiononte ky aparat.

Sipas zyrtarëve, Zamorano është kapur duke u prezantuar rrejshëm si një prej migrantëve, raportoi BBC të shtunën.

Zomaro nga Teksasi është një nga katër personat e akuzuar për incidentin më vdekjeprurës të trafikimit të qenieve njerëzore në historinë e SHBA-së. Disa fëmijë të gjetur në automjet janë ende duke u trajtuar në spital.

Zamorano, 45 vjeç, dhe i dyshuari komplotist Christian Martínez, 28 vjeç, akuzohen se i kanë dërguar mesazhe me tekst njëri-tjetrit në lidhje me operacionin e kontrabandës, para dhe pas zbulimit të kamionit në temperatura të larta.

Një informator konfidencial i qeverisë që punon për Emigracionin dhe Zbatimin e Doganave dhe policinë e Teksasit u tha zyrtarëve se të dy kishin folur pasi u raportuan vdekjet.

Martínez dyshohet se i tha informatorit: “Shoferi nuk ishte në dijeni se njësia e ajrit të kondicionuar ndaloi së punuari dhe se kjo ishte arsyeja pse njerëzit në kamion vdiqën”, sipas dokumenteve të gjykatës.

Dokumentet shtojnë se informatori dhe Martínez ishin duke qëndruar disa metra larg njëri-tjetrit kur u zhvillua biseda me shoferin.

Të dy burrat përballen me dënimin me vdekje nëse shpallen fajtorë për akuzat për kontrabandë dhe konspiracion.

Dy burra të tjerë të akuzuar për përfshirje, Juan Claudio D’Luna-Méndez dhe Francisco D’Luna-Bilbao, janë akuzuar për posedim të armëve të zjarrit dhe për qëndrim të paligjshëm në SHBA. Të dy janë shtetas meksikanë.

Autoritetet meksikane thonë se gjithsej 67 emigrantë ndodheshin brenda kamionit, ndërsa prokurorët në San Antonio kanë thënë se ishin 64.

Të premten, zyra e ekzaminuesit mjekësor të qarkut Bexar tha se kishte “identifikuar përfundimisht” gjashtë nga 53 viktimat nga incidenti i së hënës. Gjithashtu janë bërë edhe 42 “identifikime potenciale”. Pesë mbeten të paidentifikuar. Viktimat deri më tani janë: 27 qytetarë meksikanë, 14 honduranë, shtatë guatemalanë dhe dy salvadoranë.

Të ngjashme