Fundja, shekullarizmi kemalist me bazë ushtrinë u provua se ishte i paqëndrueshëm:shkatërrimi i tij nën AKP-në gëzoi përkrahje të madhe. Por përpjekja e dështuar për grusht shtet ka gjasa të fuqizojë aspektet joliberale të demokracisë që po gjallëronte nën Erdoganin, ku vullneti i popullit dhe sundimi i shumicës janë në kundërshtim me pluralizmin, të drejtat e njeriut dhe me lirinë e fjalës.
Mbetet të shihet qëndrueshmëria e një sistemi të tillë në Turqi – ku pavarësisht kundërshtimit popullor ndaj puçit, mbetet e madhe hasmëria ndaj Erdoganit.
Jerusalem – Tmerri pas grusht shtetit të dështuar në Turqi ngre dilemën qenësore: A do të vazhdojë presidenti Recep Tayyip Erdogan të zbatojë politikën e autoritarizmit, mbase me përshkallëzim hakmarrës, apo do t’ua shtrijë dorën kundërshtarëve dhe të mundohet të ndërtojë ura për të mirën e shoqërisë turke?
Ende mbetet të shihet, por e kaluara e afërt na tregon prej shembujve historikë se sfidat serioze ndaj krerëve autoritarë dhe gjysmautoritarë çojnë drejt ashpërsimit të sjelljes së regjimit dhe se nuk sjellin qasje më të moderuar.
Dhe veprimet e Erdoganit prej dështimit të puçit – arrestimet masive dhe spastrimet në mesin e ushtrisë, drejtësisë, policisë dhe arsimit nisën menjëherë pas kaosit – duket se konfirmojnë skenarin më pesimist.
Megjithatë, do të ishte gabim i madh të kundrohej çfarë po ndodh në Turqi vetëm nëpërmjet personalitetit të Erdoganit dhe shenjave të tij autoritare.
Ai dhe Partia e Drejtësisë dhe e Zhvillimit (AKP) përfaqësojnë ndryshimin tektonik në politikën turke, ndryshim që ka paralele edhe në vendet e tjera me shumicë myslimane në Lindje të Mesme.
Duke u munduar të dalë prej shtegut të historisë turke nga shekullarizmi radikal i themeluesit të Turqisë moderne, Kemal Ataturk, AKP-ja fillimisht nisi të hiqte dorë prej modelit autoritar të Ataturkut.
Meqë shumë vrojtues perëndimorë ishin përkrahës të natyrës shekullare të kemalizmit, shumëkush e shihte regjimin të ngjashëm me fashizmin evropian të viteve ’30 – shtet me një parti të vetme me vetë Ataturkun si boshti i kultit të personalitetit – se sa me demokracinë liberale. Vetëm në vitet pesëdhjetë, sistemi nisi të humbte fuqinë.
Shekullarizmi kemalist nuk ishte shprehje e lëvizjes së gjerë popullore nga poshtë; ishte imponuar prej një elite të vogël urbane – ushtarake dhe intelektuale kundër shoqërisë tradicionale dhe kryesisht rurale.
Kemalizmi jo vetëm që paraqiste version të alfabetit latin, duke ua prerë turqve të gjitha lidhjet me historinë dhe kulturën e tyre; ai edhe ndalonte të gjitha format e manifestimit tradicional (fesin, shamitë për gratë dhe veshjet tradicionale për burrat), dhe kishte zbatuar me forcë kodin evropian të veshjes për gjithë popullsinë. Të gjithë mbiemrat arabë ose që tingëllonin si myslimanë duhej të ndryshoheshin për mbiemra turq.
Asnjë shoqëri evropiane nuk ka përjetuar proces kaq dramatik të revolucionit nga lart-poshtë. Në Perëndim, shekullarizmi kishte shkuar krah për krah me projektin e iluminizmit të demokratizimit dhe liberalizmit.
Në Turqi – dhe në një formë më pak radikale nën shahun në Iran, dhe nën sundimin e diktatorëve në shtete si Egjipti, Tunizia, Siria dhe Iraku – shoqëria asnjëherë nuk kishte alternativë.
Fitorja e AKP-së në zgjedhje që nga viti 2002 (sikur në shtetet e tjera myslimane me histori të ngjashme) ishte në fakt ringjallje e të shtypurit. Meqë sistemi kemalist kishte pësuar liberalizim eventual (megjithëse jo edhe kulturor), shpërfaqja e sistemit multipartiak eventualisht fuqizoi konservatorët tradicionalë, preferencat e të cilëve kaherë ishin mohuar.
Njëherësh, modernizimi ekonomik solli mobilizim shoqëror për konservatorët, që i prinë shfaqjes së një borgjezie të re që fuqizoi vlerat e veta fetare dhe e shihte elitën kemaliste – të mbledhur rreth ushtrisë, burokracisë, drejtësisë dhe universiteteve – si shtypës. Këta votues ishin baza e fitoreve elektorale të AKP-së dhe legjitimitetit demokratik. Përpjekja e fundit prej elementeve të ushtrisë – mburoja e shekullarizmit kemalist – për të përmbysur vullnetin e popullit (qysh ka vepruar tri herë në gjysmë shekulli) konfirmon përplasjen e vazhdueshme ndërmjet shekullarizmit dhe demokracisë në Turqi.
Njëherësh, politika e jashtme e Erdoganit viteve të fundit nuk ka qenë aspak e suksesshme. Zotimi i tij fillestar për “zero konflikte me fqinjët” ka çuar drejt prishjes së marrëdhënieve me Armeninë, Rusinë, Izraelin dhe Egjiptin – të mos përmendim këtu telashet e brendshme, përfshirë valën e sulmeve terroriste prej përfshirjes në luftën civile në Siri.
Por asnjëra prej këtyre nuk e ka gërryer përkrahjen e Erdoganit në Turqi, me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian që po e përkrahin, megjithëse duke i shtrënguar dhëmbët kundër përpjekjes së fundit për grusht shtet. Ky është test i madh për interesin e fuqive perëndimore për një Turqi të qëndrueshme, e cila i duhet BE-së për ndaljen e valës së refugjatëve, kryesisht nga Siri, dhe me SHBA-në që i duhet për luftën e kufizuar kundër “Shtetit Islamik”. Duhet të merret me dyshim se përndjekja e armiqve të brendshme të Erdoganit – të vërtetë a imagjinarë – do ta ndalë SHBA-në a BE-në prej llogaritjes në bashkëpunimin turk.
Por kundërpërgjigjja brutale e Erdoganit ndaj përpjekjes për grusht shtet – që mund të përfshijë edhe procese spektakolare gjyqësore si pjesë e “spastrimit” të institucioneve publike prej mbetjeve shekullariste dhe të ish-aleatëve të lëvizjes së Gylenit – vetëm do të thellojë edhe më shumë ndasitë në shoqërinë turke. Në të vërtetë, sulmet terroriste nuk janë ndërmarrë vetëm prej “Shtetit Islamik”, por edhe prej militantëve kurdë, kërkesat e të cilëve për autonomi sfidojnë konceptin e shtetit të pandashëm turk – gur themel për shtetin kemalist.
Para përpjekjeve për grusht shtet, Erdogani kishte ndërmarrë veprime të rëndësishme për të reduktuar tensionet me Rusinë dhe Izraelin, dhe të dy përpjekjet nuk do të duartrokiten për shkak të fushatës së tij pas puçit. Edhe lufta civile në Siri nuk ka shenjë se do të marrë fund dhe Siria si shtet de fakto i ndarë do të vazhdojë të paraqesë sfidë për politikën turke dhe kohezionin shoqëror, me gjithnjë e më shumë refugjatë që mundohen të kalojnë kufirin turk.
Fundja, shekullarizmi kemalist me bazë ushtrinë u provua se ishte i paqëndrueshëm: shkatërrimi i tij nën AKP-në gëzoi përkrahje të madhe. Por përpjekja e dështuar për grusht shtet ka gjasa të fuqizojë aspektet joliberale të demokracisë që po gjallëronte nën Erdoganin, ku vullneti i popullit dhe sundimi i shumicës janë në kundërshtim me pluralizmin, të drejtat e njeriut dhe lirinë e fjalës. Mbetet të shihet qëndrueshmëria e një sistemi të tillë në Turqi – ku pavarësisht kundërshtimit popullor ndaj puçit, mbetet e madhe hasmëria ndaj Erdoganit.
(Autori është ligjërues në Universitetin Hebraik të Jerusalemit dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Izraelit. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”