Policia po e trajton si të dyshimtë vdekjen e një miliarderi kanadez dhe gruas së tij. Trupat e Barry dhe Honey Sherman u gjetën të premten në banesën e tyre në Toronto, duke tronditur opinionin publik. Në një deklaratë të shkurtër për shtyp, policia njoftoi se autopsia kishte zbuluar se të dy kishin vdekur si pasojë e shtrëngimit në fyt dhe kjo i shtyn ta shohin si të dyshimtë rastin.
Më herët, familja e tyre reagoi kundër raportimeve se çështja po hetohej si vrasje-vetëvrasje, duke thënë se askush nga ata që e njihnin çiftin nuk e besonin këtë teori.
“Prindërit tanë ndanin entuziazmin për jetën dhe përkushtimin për familjen dhe komunitetin. Jemi të tronditur dhe i cilësojmë të papërgjegjshme sugjerimet e policisë mbi teori që as familja e as miqtë e tyre nuk i besojnë”, thuhej në një deklaratë.
Trupat e viktimave u gjetën nga agjenti i tyre imobiliar, i cili po përpiqej të shiste pronën. Nuk ka shenja për hyrje me forcë e policia tha më herët se nuk po kërkonin për të dyshuar. Disa gazeta kanadeze raportuan se hetuesit po vlerësonin mundësinë se Barry Sherman kishte vrarë fillimisht gruan e më pas veten.
Mesazhe ngushëllimi kanë ardhur nga i gjithë vendi, përfshirë kryeministrin Justin Trudeau.
Një prej njerëzve më të pasur të Kanadasë, Sherman 75 vjeç, me 4.77 miliardë dollarë pasuri, ishte themelues dhe drejtues i gjigantit të farmacisë Apotex, që shet medikamente gjenerike mjekësore rreth botës.
Honey Sherman, 70 vjeçe, ishte lindur në një kamp të personave të zhvendosur nga dy viktima të Holokaustit dhe ka qenë anëtare e disa bordeve të komunitetit, dhe çifti ka dhuruar miliona dollarë për bamirësi.