Vdekja e punëtorëve në vendin e punës, Sindikata e Re e KEK-ut zhvillon aksion simbolik para zyreve të KEK-ut

Prishtinë | 25 Gus 2026 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Re e KEK-ut ka zhvilluar aksion simbolik para zyrave të KEK-ut, në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Gjatë këtij aksioni sombolik është bërë thirrje për kushte më të mira për punëtorët.

Ky aksion është zhvilluar disa ditë pas vdekjes së një puntori në këtë institucion.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari ka theksuar se punëtorët në Kosovë nuk kanë mbrojtjen e duhur ligjore, raporton Ekonomia Online.

“Njëmijë herë faleminderit mediave të Kosovës për senzibilizimin e të gjitha rasteve që po ndodhin në Kosovë, të punëtorëve që po e humbin jetën. Ju jeni ata të cilët më së sakti dhe më së miri po e transmetoni se si punëtorët e Kosovës nuk kanë mbrojtje ligjore, si punëtorët e Kosovës humbin jetën pa u respektuar ligji i punës.

Ne sot si sindikatë e KEK-ut, me një aksion simbolik para drejtorisë dhe menaxhmentit të KEK-ut, vendosëm disa fotografi të kolegëve tanë që kanë humbur jetën në vendin e punës.

Edhe njëherë, të gjitha familjeve u shprehim ngushëllime, kolegëve të korporatës dhe të gjithë atyre që i kanë njohur këta djem punëtorë, këta djem të mirë. Kaq është çka mundem me thënë për këtë moment. Nesër, në ora 8:00, në tri divizionet do të kemi protestë solidarizuese me të gjitha familjet e punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës.

Edhe njëherë, kërkojmë nga institucionet e Republikës së Kosovës, nga Korporata Energjetike e Kosovës të respektohet ligji i punës, sepse pa respektimin e ligjit të punës, punëtori e humb të drejtën me punuar dhe me jetuar. Prandaj kërkojmë që të jetë… kjo vdekje të jetë e fundit dhe të mos përsëritet asnjëherë në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe asnjë vend në Kosovë.

Është e dhimbshme, është jashtëzakonisht e rëndë edhe për neve punëtorët e korporatës, por edhe për të gjithë familjet që po i humbin të dashurit e tyre nëpër vendet e punës. Ndoshta me një menaxhim më të mirë, me një siguri më të madhe, sot ata do të ishin në mesin tonë. Edhe njëherë ju falënderoj nga zemra, se pa juve punëtorët me të vërtetë kishin me vuajtur edhe më shumë. Ju jeni ata që po e bëni të mundurën që të vijë në pah padrejtesia ndaj punëtorëve”, tha Jashari.

Kurse, nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica ka thënë se aksioni simbolik do të vazhdojë edhe para Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), duke kritikuar kryetarin e BSPK-së për, siç ka thënë, mungesë reagimi ndaj rasteve të vdekjeve të punëtorëve.

“Ne sot kemi vendosur, përveç atyre që tha kryetari dhe i shpalli punëtorët e vdekur aksidentalisht në vitin 2026 heronj, me vendimin e kryesisë të shkojmë dhe me një aksion simbolik të bëjmë te Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, përkatësisht kryetari i vetëquajtur, i cili asnjëherë nuk e ngriti zërin për asnjë punëtor. Kryetari i punëtorëve nuk flet për punëtorët! Paramendoni, kjo tregon qartë se sa aktiv është kryetari i BSPK-së bashkë me BSPK-në e vetëquajtur. Prandaj nga këtu ne nisemi edhe atje në një aksion simbolik ku do të vëmë edhe fotografinë e këtyre katër punëtorëve si shenjë revolte që nuk ka folur asnjëherë deri më dje, që dje e kishim pasur këtë menaxhmentin e KEK-ut në një takim e ja kanë qitur ndërmend që është sindikalist. Nuk e ka ditur as vetë, e as nuk e di që është zgjedhur, e nuk flet për punëtorët, e kjo është e tmerrshme”, tha Llumnica.

Për ditën e nesërme është paralajmëruar protestë, duke filluar nga ora 08:00 në tri divizione të KEK-ut.

Të ngjashme