Një vajzë 18 vjeçare nga Vushtrria ka vdekur sot në Repartin e Emergjencës në Vushtrri, teksa po trajtohej nga mjekët.
Por, vdekja e saj po cilësohet e dyshimtë nga Policia e Kosovës dhe ka lidhje me gjendjen e krijuar sa i përket COVID19.
Gazeta Online “Reporteri” nga burime të sigurta në Policinë e Kosovës ka mësuar se vdekja e vajzës me inicialet R.A, e lindur në vitin 2002, po hetohet pasi 10 ditë më parë ajo kishte kërkuar ndihmë mjekësore por nuk e kishte marrë atë.
Sic kanë treguar burimet policore, rreth orës 09:20 kanë marrë njoftimin se rreth orës 07:00 është sjellë në emergjencë vajza në fjalë dhe se ka ndërruar jetë gjatë trajtimit, shkruan Reporteri.
Sipas deklaratave të dëshmitarëve, familjarë të saj, të dhëna në polici, e njëjta para 10 dite kishte kërkuar ndihmë tek mjeku, pasi kishte pasur dhimbje koke dhe anoreksi. Sipas deklaratës, asaj i ishte rekomanduar që të shkojë në Kliniken Infektive të QKUK-së. Mirëpo, siç kanë thënë familjarët e saj dëshmitarë, për shkak të gjendjes së krijuar rreth pandemisë COVID19, fluksit të madh të pacientëve, tashmë e ndjera, nuk është kontrolluar.
Në polici theksojnë se trupit të saj i është bërë edhe obduksioni dhe tashmë edhe prokuroria është njoftuar.