Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademik Ekrem Murezai.
Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
ASHAK njofton se nesër do të mbahet mbledhje komemorative me familjarët dhe anëtarët e akademisë.
Mbledhja do të mbahet në ambientet e Akademisë së Shkencave nga ora 11:00.
Ceremonia e varrimit do të bëhet duke respektuar masat parandaluese për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Biografia:
Akademik Ekrem Murtezai lindi në Gjakovë, ku kreu shkollën fillore dhe mori mësime në Medresenë e Madhe të Gjakovës. Në vitin 1948 u regjistrua në Shkollën Normale të Gjakovës, ndërsa në vitin 1951 u diplomua në Pejë. Studioi për filozofi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit. Pas studimeve deri në fund të viteve ’60 punoi mësimdhënës në shkollën normale dhe në gjimnazin e Gjakovës, ku ishte edhe drejtor. Nga viti 1969 e deri në vitin 1973 ishte në detyrën e këshilltarit të pavarur në Byronë Ekzekutive të Komitetit Qendror të Lidhje Komuniste të Jugosllavisë (LKJ) dhe njëkohësisht edhe shef i kabinetit të Fadil Hoxhës, i cili në atë kohë ishte anëtar i Byrosë Ekzekutive.
Ndërkohë mbaroi studimet pasuniversitare për politikologji në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Në vitin 1973 u zgjodh ligjërues i lëndëve historia e filozofisë antike dhe mesjetare dhe filozofisë marksiste në katedrën filozofi-sociologji në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës (UP), ku më 1977 mbrojti edhe tezën e disertacionit të doktoratës me titull “Lenini për logjikën dialektike”. Ishte profesor i rregullt i lëndëve të lartpërmendura gjatë viteve 1983-1991, por edhe i disa lëndëve të tjera filozofike: estetikë, logjikë, filozofi klasike gjermane, filozofi bashkëkohore etj. Për një kohë ligjëroi edhe metodologjinë dhe teknikat e kërkimeve shkencore në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Gjatë viteve 1973-1981 ishte drejtor i Qendrës Krahinore të Arsimit Marksist. Kreu edhe detyra të tjera në institucionet e arsimit.
Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe i Arteve të Kosovës u zgjodh në vitin 1996, kurse në vitin 2000 u zgjodh anëtar i rregullt. E. Murtezai është autor i disa librave nga fusha e filozofisë, i artikujve shkencorë, i fjalorëve terminologjikë, i librave shkollorë: “Filozofia materialiste-dialektike” (1975), “Studime filozofike” (1975), “Stalinizmi dhe neostalinizmi” (1976), “Pikëpamja e Leninit për metodën dialektike” (1976), Marksizmi, socializmi dhe vetëqeverisja” (1981), “Disa terma aktualë politikë” (1986), “Fjalori i filozofisë” (1995), “Fjalor i feve” (2000), “Hyrje konceptuale në filozofi” (2015) etj.