Me datë 26.09.2019 në Spitalin Rajonal të Pejës ka ndërruar jetë Z. Ll i lindur më 29.12.1942, i dënuar për vrasje të rëndë dhe në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës nga viti 2014.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut , në kuadër të mandatit dhe marrëveshjes me Ministrinë e Drejtësisë monitoron Qendrat e Paraburgimit dhe Qendrat Korrektuese në Kosovë si dhe i viziton shtetasit e Kosovës që janë të privuar nga liria në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
I burgosuri Z. Ll. që nga pranimi ka qenë i sëmurë dhe me shumë komplikime shëndetësore, tërë kohën është mbajtur në Stacionarin e burgut të Dubravës, por edhe kohë pas kohe ka qenë i shtrirë në spitale jashtë burgut.
Në bazë të rekomandimeve të mjekëve të SB të Dubravës, të SP
të Pejës dhe QKUK-së i ndjeri ka qenë i shtrirë në Klinikën Vaskulare dhe në SP në Pejë në njësitë internistike, neurologjike, koronare, etj.
Për rastet e vdekjeve e të privuarve nga liria e që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme,KMDLNj nuk e bënë përgjegjës Shërbimin Spitalor të Burgjeve e as Shërbimin Korrektues të Kosovës por e adreson përgjegjësinë tek institucionet që kanë mungesë të theksuar të humanizmit duke mos lejuar që të dënuarit me diagnozë terciare të kenë mundësinë të vdesin në
shtëpitë e tyre dhe afër familjeve të tyre.
Ndonëse të drejtat e njeriut mbrohen me ligj sepse pikërisht ligji është përgjegjës për shkeljen e tyre, në rastet kur vdekja është e pashmangshme për shkak të sëmundjes së pashërueshme, ligji duhet t’iu nënshtrohet të drejtave të njeriut. KMDLNj mendon se shteti hakmerret ndaj një
kryerësi të veprës penale në çastin kur i shqiptohet dënimi i formës së prerë dhe pas kësaj me të privuarin nga liria duhet të merren institucionet tjera e që nuk po ndodhë. KMDLNj vlerëson se në vuajtje të dënimit në Kosovë janë edhe 8-10 raste e që mund të përfundojnë me fatalitet.