Milka Mesiq (85), gruaja e ish-presidentit të Kroacisë, Stjepan Mesiq (89), ka ndërruar jetë, mëson Jutarnji list.
Milka Mesiq ka lindur në vitin 1939 në qytetin e Slabinjës, i cili ndodhet në zonën e Kantonit Sisak-Moslavina. Ajo u takua me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Stjepan Mesiq, pasi ai e vuri re në një konkurs kërcimi në Zagreb dhe ai i kërkoi një shoku të përbashkët që t’i prezantonte.
Çifti u martua në vitin 1961, pasi Stjepan mbaroi studimet dhe pak më vonë ata patën vajzën e tyre të parë, Sashën. Edhe Milka filloi studimet për psikologji në Universitetin e Zagrebit, por i ndërpreu studimet pas lindjes së vajzës së tyre dhe diplomimit të Stjepanit. Ata u shpërngulën së bashku në vendlindjen e Stjepanit në Orahovicë dhe në vitin 1963 lindi vajza e tyre e dytë, Dunja.
Gjatë periudhës së Pranverës Kroate, në të cilën Stjepan mori pjesë aktive, familja u shpërngul nga Orahovica në Zagreb, ku jetuan me nënën e Milkës, Mileva.
Milka punonte në një kopsht fëmijësh, por u përball me kërcënimin e largimit nga puna pasi burri i saj u arrestua për arsye politike. Megjithatë, ajo e mbajti detyrën falë mbështetjes së kolegëve të saj.
Pasi Stjepan Mesiq u zgjodh president i Kroacisë në vitin 2000, Milka rrallë shfaqej në publik dhe rrallë e shoqëronte bashkëshortin e saj në udhëtime zyrtare dhe vizita shtetërore jashtë vendit.