Nga Ermal Mulosmani
Para pak ditësh lexova në FB një lajm të trishtë. Deputeti Luan Rama njoftonte se këngëtari I njohur shkodran, Shyqyri Allushi, ishte goditur nga një ishemi cerebrale dhe ishte shtruar në Spital në Tiranë. Sigurisht, lajmi për sëmundjen e një këngëtari 85 vjeçar nuk është një lajm që do të konsiderohej I rëndësishëm për shumicën e mediave në Shqipëri. Ndoshta diku, ndonjë prej tyre edhe do ta përfshinte në lajmet rutinë, pa e ditur se kush ishte Shyqyri Alushi.
Në fakt, lajmi nuk ishte se Shyqyri Alushi ishte sëmurë dhe shtruar në spital. Lajmi ishte tjetërkund.
Në fotot që ilustronin tekstin, pashë këngëtarin e ngratë të shtrirë në një shtrat po aq të ngratë, pa hequr as kapelen dhe të mbuluar me shumë batanie… Dekori I dhomës ishte një çantë e lëshuar nxitimthi në dysheme, një qese e stërmadhe mbi një tavolinë të vogël dhe krevati në cep.
Në krah kishte serumin dhe dukej I përhumbur… Ishte si një skenë filmi ku regjisori do të theksojë braktisjen totale…
Përveç fotove, deputeti kishte bashkangjitur edhe intervistën e të birit të legjendës shkodrane ku rrëfente vuajtjet e tij për të qenë afër të atit në ditët e tij të fundit. Ai tregonte se, shpesh nuk mundej t’i blinte serumet që duheshin për shkak se ai ishte I papunë dhe nuk mund të përballonte çmimet e shtrenjta me pensionin e babait, veç 140 Euro!
Kaq vlen Shyqyri Alushi. 140 Euro!
Bilbili I muzikës shkodrane, legjenda që për 5 dekada ishte zëri më përfaqësues I melosit të bukur shkodran, “Artisti I Merituar”, që këndoi “O bilbil më I bukuri I shpendëve” dhe “Pranvera ka nisë me dalë” na la pikërisht në ditët kur Pranvera ka nisë me dalë!
Duke na fshikulluar me vdekjen e tij. Për mosmirënjohjen tonë, për indiferencën vrastare, për braktisjen e pashpirt!
Dashuria jonë nuk do ta shpëtonte Shyqyri Alushin me siguri. Por do ta ndihmonte të shkonte në atë botë I qetë. Pa brenga dhe dhimbje.
Indiferenca e shtetit shkëlqen mbi gjithçka në këtë trishtim. Ministria e Kulturës kishte shansin t’ia bënte më të lehtë vdekjen. Kryeministri gjithashtu, Bashkia e Shkodrës gjithashtu. Ndoshta edhe kolegë që paguhen në natë sa Shyqi merrte në një vit.
Shyqyri Alushi vdiq pa dashuri. Vdiq I braktisur.
Shpresoj që vdekja e tij ti shërbejë Qeverisë së pari për të tjerë… Arti nuk bëhet vetëm në Tiranë…
PO e mbyll këtë shkrim me tekstin e Luan Ramës për vdekjen e Shyqyri Alushit.
“Shyqyri Alushi sot nuk jeton më, por
jeton korrupsioni dhe babëzia shtetërore, jeton mafia e ilaçeve që vret ditë
pas dite si dëshmia më tragjike e krimit shtetëror!
U prehsh në paqe Shyq Alushi i Shkodrës!
Le të mbetet kënga jote, përjetësi e emrit dhe mirësisë tënde!
Ngushëllime familjes, të afërmve!
Ngushëllime Shkodrës që të deshi e të nderoi aq shumë!”