Ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Eduard Kukan, ka vdekur në moshën 82-vjeçare, ka konfirmuar të enjten Ministria e Jashtme e Sllovakisë.
“Duke shërbyer në kohë të vështira, ai ia kushtoi jetën ndërtimi të Shërbimit të Jashtëm të Sllovakisë. Vendimet e tij mundësuan anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian dhe NATO. Pa të, historia e Sllovakisë mund të ishte krejt ndryshe”, ka shkruar Ministria e Jashtme sllovake në Twitter.
Arsyet e vdekjes nuk janë të qarta.
Kukan ka qenë edhe deputet i Parlamentit Evropian dhe shef i delegacionit të BE-së për Evropën Juglindore.
Sa ka qenë në krye të delegacionit të BE-së, Kukan ka shprehur mbështetje për integrimin evropian të Kosovës dhe në veçanti për liberalizimin e vizave.
“Ne do të vazhdojmë t’ju ndihmojmë në këtë aspekt, duke ju dhënë ndihmë dhe duke biseduar edhe me Komisionin Evropian, në mënyrë që kjo situatë diskriminuese për popullin tuaj, të zgjidhet, dhe ju të gëzoni udhëtimin pa viza dhe të lirshëm në zonën Shengen”, ka thënë Kukan në tetor të vitit 2013.
Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.
Kukan vjen nga Sllovakia, njëri nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt, 2008.
Më 22 janar të vitit 2013, Kukan ka deklaruar se inkurajimi i pesë vendeve të BE-së për ta njohur Kosovën, “nuk është një inkurajim jokonstruktiv”.