Politikani rus i opozitës Alexei Navalny, ka ndërruar jetë mesditën e së premtes.
Ka qenë shërbimi i burgjeve ruse që ka raportuar se kritiku dhe kundërshtari i presidentit rus Vladimir Putin ka ndërruar jetë.
“Më 16 shkurt 2024, në koloninë korrektuese nr 3, i dënuari A. Navalny nuk u ndje mirë pas një shëtitjeje, pothuajse menjëherë duke humbur vetëdijen”, thuhet në deklaratë.
“Menjëherë kanë mbërritur punonjësit mjekësorë të institucionit dhe është thirrur ekipi mjekësor i urgjencës”, vijon njoftimi.
Sakaq, bëhet me dije se janë kryer të gjitha masat e nevojshme, por nuk kanë dhënë rezultate pozitive.
Kush është Navalny?
I lindur nga pronarë fabrikash në një fshat në perëndim të Moskës, Navalny u bë kritiku më i lartë i kohës së Putinit në pushtet.
Aktivizimi i tij politik, duke përfshirë hetime të gjera për korrupsionin e nivelit të lartë dhe kandidimin për të qenë kryebashkiak i Moskës, i dha atij famë dhe shumë besonin se ai përbënte një kërcënim për Putinin.
Ishte gushti i vitit 2020 kur lufta e tij kundër presidentit rus u bë fjala kyçe e titujve kryesorë botërorë.
Ai u sëmur rëndë gjatë një fluturimi nga Siberia në Moskë dhe Navalny u dërgua, në gjendje koma, në Berlin.
Ekipi i tij akuzoi Kremlinin për helmimin e tij, një akuzë që Kremlini e mohoi.
Mjekët gjermanë konfirmuan se ai ishte helmuar me novichok dhe shërimi i tij zgjati me muaj.
Pavarësisht rrezikut, Navalny zgjodhi të kthehej në Rusi, ku më vonë u arrestua, u dënua me akuza që ai thotë se janë të motivuara politikisht dhe mbeti në burgjet ruse deri në vdekjen e tij të raportuar sot.