Vdes në moshën 96 vjeçare i mbijetuari i sulmit bërthamor në Hiroshima

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 13:12 | Nga Ekonomia Online

Sunao Tsuboi, i mbijetuar i sulmit atomik në Hiroshima, i cili kundërshtimin e armëve bërthamore e kishte bërë mesazh të jetës së vet, ka vdekur në moshën 96-vjeçare. Në vitin 2016, ai ishte takuar me presidentin e atëhershëm amerikan, Barack Obama.

Tsuboi vdiq më 24 tetor në një spital në Hiroshima, në jugperëndim të Japonisë. Zyrtarisht, shkaktar i vdekjes së tij ishin të rrahurat e çrregullta të zemrës, të shkaktuara nga anemia, tha të mërkurën Nihon Hidankyo nga grupi kombëtar i të mbijetuarve të shpërthimit bërthamor.

Kur Obama e kishte bërë vizitën historike në Hiroshima, ai ia kishte mbajtur dorën Tsuboit në një shtrëngim të gjatë të duarve duke buzëqeshur.

Tsuboi ishte 20 vjeç, kur kishte shpëtuar mrekullisht nga bombardimi bërthamor i vendlindjes së tij nga Shtetet e Bashkuara më 6 gusht 1945, në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, shkruan Associated Press, transmeton Gazeta Express.

Ai kishte përjetuar djegie aq serioze, saqë një pjesë e veshit i ishte hequr. Kur i ishte kthyer vetëdija, 40 ditë pas sulmit, lufta kishte përfunduar. Tsuboi ishte aq i dobët, saqë fillimisht kishte nisur të lëvizte duke u zvarritur nëpër dysheme.

Të ngjashme