Vdes politikania italiane Emma Bonino, përkrahëse e madhe e Kosovës

Prishtinë | 11 Sht 2026 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Ka vdekur në moshën 78-vjeçare politikania dhe aktivistja italiane, Emma Bonino, që për kohë të gjatë qe zë mbështetës për Kosovën, si në luftë por edhe pas saj.

“Sot kemi humbur jo vetëm lideren tonë, por edhe një prej figurave më largpamëse, guximtare e të lira në historinë politike të shtetit tonë”, ka njoftuar partia e saj “Më shumë Evropë” të premten.

Bonino njihet si një prej zërave mbështetës për intervenimin e NATO-s më 1999 në Kosovë. Madje ajo pati vizituar refugjatët e Kosovës në shtetet përreth. Më 9 maj të atij viti, Bonino pati qëndruar në Shkup si komisionere e ndihmave humanitare e Bashkimit Evropian. Nga aty pati alarmuar për çështjen e Kosovës.

“Janë të paktën 690 mijë të zhvendosur, që nënkupton se një bombë njerëzore është mbushur dhe mund të shpërthejë në çdo kohë”, pati thënë ajo.

Në këtë deklaratë, Bonino pati alarmuar se si autoritetet jugosllave të asaj kohe s’patën lejuar kosovarët të hynin në Maqedoni për katër ditë.

Pas luftës, ajo ka qenë po ashtu mbështetëse e Kosovës. Më 2013 madje pati vizituar Kosovën. Në konferencë për shtyp ajo qe zotuar për mbështetje për heqjen e vizave.

Për botën, ajo do të mbahet mend si politikania radikale italiane që ka udhëhequr fushatat për të legalizuar abortin dhe divorcin, pavarësisht kundërshtimeve të Vatikanit. 

“Jeta e saj ka qenë një rrëmujë kundër gjithçkaje që mohonte lirinë: kundër aborteve klandestine, kundër urisë, zgjedhjes së politikës partiake, gjymtimit të organeve gjenitale femërore, drejtësisë ndëshkuese, gjenocidit dhe çdo forme autoritarizmi”, thuhet në reagimin e partisë së saj, si përshkrim të karrierës së Boninos.

Të ngjashme