Ka vdekur profesori Binak Gërguri, punonjësi shumëvjeçar i Institutit Pedagogjik të Kosovës.
Ministrja e Arsimit, Arbëria Nagavci, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Gërguri dhe miqve të të ndjerit.
Në telegram, Nagavci thotë se “kolegu Binak Gërguri dha një kontribut të shquar përmes angazhimit të tij në procesin e hartimit të kurrikulave, si një nga proceset kyçe të ngritjes së cilësisë në arsim”.
“Z.Gërguri do të mbahet mend për profesionalizmin, bujarinë dhe urtësinë e tij, të cilat do të bëhen frymëzim për kolegët dhe bashkëpunëtorët. Jeta dhe veprimtaria e tij ishin të lidhura me arsimin, andaj do ta kujtojmë gjithmonë përmes punës të cilën e ka lënë pas, si një njeri i proceseve të rëndësishme të kësaj fushe”.
“Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Gërguri, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën! Pushoftë në paqe shpirti i tij”, thuhet në telegramin ngushëllues të ministres Nagavci.
Për vdekjen e profesorit Gërguri ka reaguar edhe Shoqata Sindikale e Shërbimit Civil të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SMASHT).
“Me dhimbje të thellë dhe ngushëllime të sinqerta, ju njoftojmë se sot kemi humbur një nga figurat e shquara të arsimit në Kosovë, Profesorin Binak Gerguri. Ai la këtë botë, duke lënë pas një boshllëk të padukshëm në zemrat tona”.
“Profesor Gerguri ishte një kontribuues i shquar në fushën e arsimit, duke shërbyer si mësimdhënës, këshilltar arsimor pedagogjik, dhe ekspert në hartimin e standardeve të profesionit, kurrikulave dhe përmbajtjeve mësimore në fushën e politeknikës. Kontributi i tij u ndje në shumë projekte vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, duke sjellë ndryshime thelbësore në mjedisin arsimor”.
“Profesori Gerguri kreu studimet në Universitetin e Rjekës në Kroaci dhe ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja, posaçërisht i frëngjishtes”.
“Ndër më të rëndësishmet që do të mbahen mend për të ishin vizioni i tij për një arsim cilësor dhe inovativ, si dhe përkushtimi i tij ndaj zhvillimit profesional të kolegëve dhe nxënësve”.
“Familjes së tij dhe miqve të ngushtë, ne ua shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta në këtë moment të vështirë. Humbja e Profesorit Binak Gerguri do të ndihet thellë në komunitetin tonë arsimor dhe përtej tij. Frymën e tij të ndritur dhe kontributin e tij të madh do t’i kujtojmë gjithmonë me respekt dhe admirim”.
“Falënderojmë të gjithë ata që kanë ndarë fjalë ngushëllimi dhe solidaritet në këtë kohë të trishtë. Paqja e qoftë mbi shpirtin e tij!”, ka përfunduar SHMAShT-i.