Dje në Tetovë ka ndërruar jetë rapsodi Hebib Neziraj, i njohur si Bib Kosova.
Ai tash e mbi 10 vite po vuante nga një sëmundje e rëndë. Karrierën e tij si këngëtar odash Bib Kosova e ka nisur në fund të viteve të 60-ta dhe ka qenë aktiv deri në vitin 2007.
Melosi i tij ka qenë i përafërt me të Augustin Ukajt, megjithatë, Bibi ka pasur origjinalitetin e vet të zërit, është shquar për potencë dhe ëmbëlsi të zërit, si rrallë ndonjë rapsod tjetër.
Ka kënduar në grup me rapsodë të tjerë, por më së shumti me rapsodin e këngëtarin Sevdi Malsia. Gjatë viteve të 80-ta, grupit të tij muzikor i është bashkuar edhe mjeshtri i njohur i harmonikës Murtezan Ferati.
Bib Kosova, përpos në oda, ka qenë pjesmarrës edhe i dhjetra festivaleve e organizimeve muzikore. Përpos me grupin e tij, ai shpesh ka kënduar edhe me rapsodë të tjerë, ndër ta edhe me Augustin Ukajn, Osman Sefën, Shaban Baksin, Vllezërit Gashi dhe shumë të tjerë.
Bib Kosova ka qenë njëri ndër rapsodët më të njohur në trojet shqiptare dhe ka lënë pas një trashëgimi të pasur të këngëve rapsodike.