Basri Çapriqi, shkrimtar dhe studiues i njohur, ka vdekur sonte në moshën 58-vjeçare.
Basri Çapriqi ka lindur në Ulqin në vitin 1960. Ka mbaruar shkollimin e mesëm në Ulqin. Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar letërsi shqipe, ku ka marrë gradën magjistër i shkencave filologjike në vitin 1988.
Në vitin 2004 merr gradën shkencore Ph. D. në Prishtinë në fushën e shkencave filologjike. Punoi profesor në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëroi lëndët; Stilistikë, Semiologji dhe poezi bashkëkohore. Poezitë e tij janë përfshirë në shumë antologji të poezisë shqipe dhe në antologji të poezisë bashkëkohore në gjuhë të ndryshme.
Poezitë i janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, polonisht, serbokroatisht, turqisht, arabisht, maqedonisht. Ishte kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe njëherit themelues në vitin 2004. Ka qenë Kryetar i Bordit të Universitetit të Prishtinës, kurse nga viti 2012 ishte anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.
Shkroi poezi, kritikë letrare, ese, publicistikë. Ka botuar shtatë përmbledhje me poezi dhe pesë libra me kritikë letrare dhe studime. Librat më të njohur me poezi janë: “Ulli me dymijë unaza”, “Ma qet gjuhën”, “Frutat bizare”, “Zbutja e gjarprit”, “Përkryrja e shiut”. Librat me kritikë: “Mikrostruktura e tekstit”, “Simboli dhe rivalët e tij”, “Paradigma kadareane” etj.
Ka marrë disa çmime letrare për poezinë e tij: Çmimi i Mitingut të Poezisë në Gjakovë (1996, 2007), Çmimi Vjetor i Art Club, Ulqin, Çmimi Lasgush Poradeci, Shqipëri (1992), Medalen e Argjendët, në kompeticionin për poezi në Internacional Saloon of The Academie Europeenne Des Arts, Bruksel (2007) etj.