Shkrimtarja ukrainase Victoria Amelina ka vdekur nga plagët e marra pasi një raketë ruse goditi një restorant picash në qytetin lindor të Kramatorskit të martën.
Studiuesja e krimeve të luftës bëhet personi i 13-të që ka vdekur në sulm.
Shoqata e shkrimtarëve “PEN Ukraine” tha se mjekët “bënë gjithçka që mundën për të shpëtuar jetën e saj, por fatkeqësisht plaga ishte fatale”.
Aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë quajtur sulmin një krim lufte, transmeton Klankosova.tv.
Kramatorski është nën kontrollin e Ukrainës, por është afër pjesëve të pushtuara nga Rusia të Ukrainës.
Amelina, 37 vjeçe, po darkonte me një delegacion gazetarësh dhe shkrimtarësh kolumbianë në sallën e njohur “Ria Lounge” të qytetit kur raketa goditi. Rreth 60 persona të tjerë u plagosën në sulm.
Ajo u dërgua me urgjencë në spitalin në Dnipro, por nuk I mbijetoi plagëve, tha PEN Ukraine.
“Me dhimbje të madhe ju informojmë se zemra e shkrimtares Victoria Amelina pushoi së rrahuri më 1 korrik”, thuhet në një deklaratë të grupit, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
“Në ditët e fundit të jetës së Viktorias, familja dhe miqtë e saj ishin pranë saj”.
Amelina ishte një nga shkrimtaret e reja më të famshme të Ukrainës, e cila filloi të dokumentonte krimet e luftës pas pushtimit të plotë të Rusisë vitin e kaluar. Ajo gjithashtu filloi të punojë me fëmijët pranë vijës së frontit.