Fatmir Krasniqi, anëtar i Bordit të Federatës së Auto Sportit të Kosovës (FASK) dhe kryetar i Auto Klubit RC Prishtina, ka vdekur pas një sëmundjeje të shkurtë, ka njoftuar FASK.
Krasniqi për shumë vjet me radhë ka qenë punëtor i dalluar në FASK dhe shumë i respektuar në komunitetin e autosportit.
“Vdekja e tij është humbje e madhe, jo vetëm për familjen, por edhe për rrethin më të gjerë, e sigurisht edhe për autosportin”, ka thënë në një letër ngushëllimi kjo federatë.
Kryetari i Federatës së Auto Sportit të Kosovës, Ismet Rexhepi, ka shprehur dhembje të thellë për vdekjen e Krasniqit.
“Vdekja e Fatmirit është një lajm i rëndë për të gjithë ne. Mungesa e tij do të jetë një humbje e madhe për familjen, rrethin e tij të gjerë, por edhe për ne. Sot kemi humbur një punëtor të madh sportiv, por mbi të gjitha një njeri të mirë. Me këtë rast dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Krasniqi dhe të gjithë atyre që e kanë njohur Fatmirin”, ka thënë Rexhepi.
Fatmir Krasniqi vdiq në moshën 45 vjeçare, ndërsa varrimi i tij do të bëhet nesër (e enjte) në orën 12:00 në Prishtinë.