Një 32-vjeçar i diagnostikuar me COVID-19 ka vdekur të shtunën mbrëma në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.
Spitali, përmes një njoftimi për medie të dielën ka bërë të ditur se ai e kishte kryer testin, por ende nuk kishte pasur rezultat. Ai kishte pasur sëmundje tjera shoqëruese.
“Një pacient i moshës 32 vjeçare nga Komuna e Pejës i shoqëruar edhe me sëmundje tjera, fatkeqësisht ka vdekur mbrëmë. I ndjeri ka qenë me diagnozë Covid-19, ka kryer testin por ende nuk ka pasur rezultat”, shkruhet në njoftimin e spitalit.
Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) nëpër komuna të vendit kanë filluar ta zbatojnë rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) që pa i testuar fare t’i diagnostikojnë personat e dyshuar se mund të kenë koronavirusin.
E kjo praktikë po zbatohet që nga fillimi i kësaj jave, ka raportuar KOHA.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, kishte thënë se marrja e mostrave është ngarkesë shumë e madhe për stafin mjekësor.
Në njoftim po ashtu është bërë e ditur se në Komunën e Pejës aktualisht po trajtohen 70 pacientë me Covid-19, 26 prej të cilëve janë në oksigjeno-terapi, 9 prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, 7 pacientë janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit.
Po ashtu, kur është në pyetje personeli në këtë spital, 5 mjekë, 11 infermierë dhe 3 punonjës të shërbimit teknik janë të infektuar me COVID-19.