Ditën e djeshme (e hënë) një qytetare ka akuzuar aktoren Teuta Krasniqi për keqtrajtim kafshësh teksa po xhironte një skenë për filmin e ri.
Akuzat e rënda vijnë pasi artistja e mirënjohur prej disa vitesh ka treguar se është vegane dhe se nuk ushqehet me mish, apo produkte të kafshëve.
“Sot e kuptova që mbrëmë në orët e vona tek fakulteti i arteve është xhiruar një skenë e një filmi me regji të Ilirjan Himaj, producentë çuditërisht aktorja Teuta Krasniqi e cila është deklaruar vegane, dhe është keqtrajtuar një qen/qenushe e rrugës duke u vu në gjumë me anestezion për shkaqe regjisoriale. Qeni/qenushja është mbajtur aty me orë të tëra deri sa kanë përfunduar xhirimet dhe nuk gjendet në territorin e tij/saj që nga ajo kohë. Ani pse ekipi i filmit thonë që kanë marrë leje nga të gjitha institucionet, nuk mendoj që ato institucione kanë të drejtë të japin leje të tilla për kafshë që nuk kanë pronar”.
“Shëndeti i atij qeni/qenushe është rrezikuar dhe maltretuar. Kërkoj nga policia që ky rast të hetohet deri në fund dhe të mbetet e qartë që askush nuk ka të drejtë t’i trajtoj qentë endacakë në këtë mënyrë. Paradoksi i gjithë kësaj është që filmi ka të bëjë pikërisht për qentë endacakë. Turp të ketë produksioni i këtij filmi”, ka deklaruar ajo.
Në anën tjetër, një reagim nga Krasniqi nuk ka munguar duke hedhur poshtë të gjitha akuzat që i janë bërë.
“Prej ditësh së djeshme qenka bërë një akuzë drejt produksionit ‘Filmtory’ i cili po xhiron filmin e metrazhit të gjatë ‘Lëkura e krokodilit’ me regji të Ilirjan Himaj dhe producentë Teuta Krasniqi. Këto ‘akuza’ totalisht të pabaza e pa asnjë informacion të marrë nga produksioni, qenkan bërë më shumë epitete të pahijshme duke shkruar që ‘qeni është keqtrajtuar’. Ai qen gjatë ditës së xhirimeve është ushqyer e trajtuar me kujdes e dashuri. Veterinari në mënyrë profesionale e ka fjetur në mënyrë që të xhirohet skena pa e munduar qenin dhe pas xhirimit qeni është zgjuar dhe gjithçka ka qenë dhe është në rregull me qenin. Askush nga produksioni nuk është çmendur që të lëndohet qeni e aq më pak me një producentë si unë që jam ekstremisht e dedikuar për mirëqenien e çdo kafshe”.
“Më duhet të shtoj edhe diçka vetëm nga aspekti personal duke qenë vegane e tani e tri vjet e gjysmë: Hipokrizia e disa njerëzve është ajo që më bën të ndjej neveri, ka shumë mundësi që ai person që ka shpif ndaj nesh me lloj lloj epitete, gjatë kohës sa ka qenë duke shkruar atë status (duke u thirrur në mbrojtjen e kafshëve) ka mundësi që ka qenë duke ngrënë një ‘sandwich’ pule ose sarma me mish viçi.. sa e di faqja e ka emrin të bashkuar për kafshët e jo vetëm të bashkuar për qen, prandaj kish qenë mirë të merrni seriozisht misionin tuaj secili që thirreni që i doni kafshët. Nuk mund t’i duash kafshët e t’i hash ato, ose i do ose i han. Prandaj para se të akuzoni dikë që vërtetë i doni kafshët, është mirë të merreni me hipokrizinë tuaj, me pjatën tuaj, me perceptimin tuaj e pastaj të drejtoni gishta”, kanë qenë fjalët e aktores Krasniqi.