Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela ka thënë se pretendimet se gjoja Kushtetuesja do ta rrëzojë presidenten, është synim për t’i bërë presion Gjykatës dhe krijuar huti në publik.
Sipas tij këto dezinformata janë pjesë e një “lufte speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi”.
“E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve. Çfarëdo skenari eventual për të shkaktuar kriza institucionale në Kosovë dhe për ta nxjerrë nga binarët procesin e dialogut (në veçanti për ta parandaluar zbatimin e nenit 4, të marrëveshjes), është vetëm skenar i vetë Serbisë”, ka shkruar Vela.
Madje Vela këtë e ka quajtuar tentim-puç ndaj institucioneve.
“Pra, kjo është përpjekje për ndikim të vendimmarrjes gjyqësore dhe tentim puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, dhe si e tillë do të dështojë”, ka shkruar Vela në Twitter