Nëse të pëlqen një qen i racës “Pit Bull” apo nëse e ke në shtëpi një të tillë, me shumë mundësi duhet të kesh probleme seksuale.
Ky është konkluzioni që ka arritur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, për ata persona që mbajnë qen të kësaj race.
Por ndryshe nga mënyra që ka gjetur për t’u përballur me qentë e rrugës, të cilët vriten me shiringa, kryebashkiaku Veliaj ka zgjedhur që “Pit Bull”-ëve t’ua kursejë jetën, duke ndaluar importin e tyre në Shqipëri. Ky vendim, tha Veliaj në emisionin ‘Tonight’, po diskutohet edhe me Ministrinë e Bujqësisë.
“Këta të frustruarit e tjerë që mbajnë pitbulla. Një mashkull duhet të jetë seksualisht rëndë i frustruar që të shëtisë me pitbull. Ka probleme që vetëm Frojdi mund t’i zgjidhë. Këta njerëz do të duhet të përballen me ligjin. Unë jam radikal. Besoj që disa kafshë që në të gjithë botën statistikisht jo vetëm sulmojnë më shumë, por edhe kafshojnë me efekt vdekjeprurës nuk duhet të jenë fare. Kam diskutuar me ministrin e Bujqësisë sepse Shërbimi Veterinar për kafshët shtëpiake është i Ministrisë së Bujqësisë, kur ai për kafshët e rrugës është i bashkisë së Tiranës. Edhe unë dhe Niko jemi radikal po diskutojmë që të ndalohet komplet importi i këtyre kafshëve agresive dhe në pamundësi për të patur Frojdin që asiston për të gjithë këta meshkuj të frustruar, të kemi mënyra të tjera, si gjoba, apo konfiskim. Zakonisht janë ata që në gjuhën popullore do të jetë kategoria e lacave që shëtisin me pitbull që të fitojnë respekt, që nuk e fitojnë dot ndryshe nga popullsia. Ky është mendimi im jo shkencor. Duke parë prototipa që lëshojnë qenë të tillë ose i vënë të zihen për baste, më rezulton që populli nuk e ka fare gabim këtë përkufizim”, deklaroi Veliaj.