Në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Zëri”, kreu i Tiranës, Erion Veliaj, u ka bërë thirrje qytetarëve në Shqipëri dhe në Kosovë që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votë në muajin qershor, ndërsa partive politike që t’i pranojnë rezultatet
Qytetarët ashtu sikur në Shqipëri, edhe në Kosovë të vendosin me votë se si dëshirojnë të udhëhiqen në zgjedhjet që do të mbahen më 11, respektivisht më 25 qershor.
Fituesi të jetë i përulur në fitore, e humbësi të jetë dinjitoz në humbje. Kjo ka qenë porosia e kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj, në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Zëri”. Sipas kreut të Tiranës, shqiptarët janë shumë të vegjël për t’u përçarë dhe çdo kthim mbrapa veçse do t’i gëzonte armiqtë e kombit shqiptar.
Gjatë intervistës Veliaj ka folur edhe për dy vitet e tij në krye të kryeqytetit shqiptar. Ai ka treguar se i është dashur të kalojë shumë sfida për t’i bërë të mundura projektet e tij. Megjithatë, ai thotë se kjo nuk ia ka shuar entuziazmin për punë.
Madje ka premtuar se ashtu sikur në pjesën e parë të mandatit, edhe në pjesën e dytë të tij do ta ndjekë moton: Nuk do të perëndojë dielli pa kryer një punë konkrete.