Kreu i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj deklaroi se në Tiranë ka mjaftueshëm banesa te lira me qira për të akomoduar familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku u miratua edhe lista e dytë e familjeve që përfitojnë bonus qiraje të plotë për një vit, Veliaj theksoi se në Tiranë janë të gatshme rreth 2500 banesa me qira për të plotësuar nevojat e 1 mijë familje që janë prekur. Ndaj, theksoi Veliaj, nuk ka asnjë arsye që spekulantët të përfitojnë në këto momente.
“Ne kemi filluar akomodimin në Tiranë. Ndërkohë, më rezulton që edhe një pjesë e bashkive të tjera që do aplikojë procesin e qirasë do të vijnë gjithashtu me qira në Tiranë nga këto zona. Sipas një vëzhgimi që kemi bërë sot ka rreth 2500 apartamente në Tiranë që janë le të themi të gatshme, për 1000 familje që kemi ne. Pra, raporti është 1 me 2.5. Kjo do të thotë që nëse nuk gjeni qira të përshtatshme tek dikush, nuk ka nevojë të na peshkojë spekulanti i parë që takojmë. Ka sot në treg mjaftueshëm për të kënaqur këtë nevojë dhe siç e thashë, me qiratë që ne kalojmë sot shkojmë në 92.2 të 1000 qirave, pra 922 nga 1000 qira që ne kemi aprovuar”, tha Veliaj, teksa nënvizoi se ditët në vijim do të miratohet edhe pjesa e mbetur.
“Ky 8% më rezulton ose janë të njësisë 2, konviktet e fundit që ndoshta s’i kemi kapur sot dhe do i miratojmë të hënën ose në një moment javën tjetër, ose janë qytetarë që kanë qenë jashtë, pra pallati ka dalë jashtë funksioni, por kanë vendosur që të vijojnë të rrinë jashtë ndoshta deri sa të fillojë shkolla, ose që janë me banim fare, fare jashtë. Pra, nuk jemi larg 100% për akomodimin e qytetarëve”, theksoi Veliaj.