Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht Këshillit Bashkiak me një kërkesë për konsultim institucional përpara shqyrtimit dhe miratimit të projektbuxhetit të Bashkisë për vitin 2026. Në shkresën e tij, Veliaj thekson se miratimi i buxhetit pa përfshirjen e Kryetarit të zgjedhur do të cenonte rëndë parimet e qeverisjes vendore dhe vullnetin demokratik të qytetarëve të Tiranës.
Sipas Veliajt, buxheti përbën aktin më të rëndësishëm financiar dhe politik të vitit për një bashki, pasi është instrumenti kryesor për realizimin e mandatit politik të Kryetarit, mandat i dhënë drejtpërdrejt nga qytetarët. Ai nënvizon se, sipas legjislacionit në fuqi për vetëqeverisjen vendore dhe financat vendore, propozimi i buxhetit është atribut ekskluziv i Kryetarit të Bashkisë dhe nuk mund të zëvendësohet nga procedura formale pa legjitimitet demokratik.
Në kërkesën e tij, Veliaj parashtron tre pika kryesore: zhvillimin e një konsultimi institucional me Kryetarin e Bashkisë përpara miratimit të projektbuxhetit, mosnjohjen si zëvendësuese të këtij konsultimi të dëgjesave publike të zhvilluara pa pjesëmarrjen ose konfirmimin e tij, si dhe vlerësimin e pasojave që do të sillte miratimi i buxhetit pa u propozuar dhe konfirmuar nga Kryetari i zgjedhur.
Për këto arsye, kërkoj zyrtarisht që, përpara shqyrtimit dhe miratimit të projektbuxhetit të vitit 2026:
1.Këshilli Bashkiak të realizojë konsultim institucional me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, në mënyrë që buxheti të reflektojë prioritetet politike dhe programore për të cilat qytetarët më kanë votuar;
2.Të merret në konsideratë se çdo dëgjesë publike e zhvilluar pa pjesëmarrjen ose konfirmimin e Kryetarit të zgjedhur nuk mund të zëvendësojë këtë konsultim, pasi nuk mbart legjitimitet demokratik;
3.Të vlerësohet se miratimi i projektbuxhetit pa u propozuar dhe konfirmuar nga ana ime, në thelb, do të institucionalizonte përjashtimin e Kryetarit të zgjedhur nga ushtrimi i funksioneve të tij kushtetuese.
Veliaj paralajmëron se një vendimmarrje e tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm, ku organi monokratik i zgjedhur do të zëvendësohej de facto nga struktura të emëruara apo të deleguara përkohësisht. Ai shton se kjo situatë do të pasqyronte pengimin e ushtrimit të mandatit të Kryetarit të zgjedhur, me pasoja serioze për qeverisjen vendore, rendin demokratik lokal dhe autonominë e vetëqeverisjes.
Në fund, Veliaj e cilëson gjendjen aktuale të zbatimit të buxhetit 2025 si alarmante, duke e konsideruar atë një tregues të qartë të paralizës institucionale që, sipas tij, po i shkaktohet Bashkisë së Tiranës.
A2 CNN mësoi gjatë ditës se para se të votojnë të enjten buxhetin e kryeqytetit, do të takohen pasditen e të hënës, në orën 18:00, me Ogerta Manastirliun.
Manastirliu u zgjodh kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, pasi këshilli bashkiak propozoi shkarkimin e kryetarit Erion Veliaj. Por edhe pse propozimi u miratua nga Këshilli i Ministrave, Gjykata Kushtetuese ktheu në detyrë Veliajn, duke shfuqizuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet.
Megjithatë, në javët e fundit Manastirliu, e cila është deputete e PS, ka marrë pjesë në takimet e zhvilluara në Tiranë për buxhetin dhe është konfirmuar si kandidate e socialistëve në çdo moment që do të zhvillohen zgjedhjet.