Veliaj: Qytetarët të bashkëpunojnë, të evakuohen nga banesat që janë vlerësuar të pabanueshme

Prishtinë | 29 Nën 2019 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Tërmeti i 26 nëntorit fatmirësisht në Tiranë nuk shkaktoi humbje jetësh, siç ndodhi në Durrës dhe Thumanë, por ka lënë pas jo pak pasoja në dëmtime banesash private dhe publike. Për këtë arsye, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në inspektimin e magazinave të grumbullimit të ndihmave në Farkë, kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për t’iu bindur urdhrave të strukturave të posaçme të Bashkisë së Tiranës dhe ekspertëve konstruktorë, që të mos kthehen në banesat e cilësuara si të pabanueshme dhe që përbëjnë rrezik për jetën.

“Situata në Tiranë e kaloi fazën e parë të emergjencës, por nuk kemi kaluar pa dëme të theksuara. Gjëja e parë që kërkoj është bashkëpunim me autoritetet që i deklarojnë shtëpitë ose pallatet si të pabanueshme. Nuk kemi nevojë për heroizma, por për sjellje gjakftohtë, pa panik, dhe me bindje të plotë ndaj autoriteteve që komunikojnë shtëpitë e pabanuara, ose inxhinierët që bëjnë verifikimet e tyre. Kjo është jetike! Nuk besoj se ka njeri me mend në kokë që do pranojë të rrezikojë dhe të këmbëngulë kundër vullnetit të Policisë dhe zjarrfikësve, për t’u futur në një pallat, ku në fakt alternativa është edhe më e mirë se shtëpia që po lë pas e që mund të jetë e dëmtuar”, tha Veliaj, transmeton TCh.

Ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës është e detyruar të kryejë edhe disa aksione për prishje të kontrolluar të disa ndërtesave, të cilat kanë shfaqur probleme nga tërmeti dhe përbëjnë rrezik për jetën e banorëve. Ai theksoi se të gjitha këto familje Bashkia e Tiranës do t’i akomodojë në qendrat sociale dhe hotelet e kryeqytetit. “Do të kemi disa operacione prishjesh në Tiranë: Duhet të çmontojmë një oxhak te Qyteti Studenti, i cili është pushtuar nga ndërtimet pa leje. Ka marrë disa krisje, është një situatë e rrezikshme, e kështu me radhë, do të marrim vlerësime gjatë ditës edhe për pallate të tjera që duhen evakuuar, ndërkohë qendrat sociale janë hapur 24/7; pra, për banorët e Tiranës strehimi do të bëhet ose në një qendër sociale ose në ndonjë nga hotelet ku tashmë kemi një listë pritjesh, që mund të akomodojnë njerëz në kushte shumë të mira”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se falë solidaritetit që treguan qytetarët, edhe Tirana ka përmbushur nevojat për veshmbathje, ndërsa bëri thirrje që kush ka mundësi të kontribuojë me shtretër, batanije e ushqime. “Kemi ezauruar të gjitha nevojat për veshmbathje. Pra, kemi mjaftueshëm xhupa, pulovra, triko dhe të brendshme, për nevojat e Tiranës. Prandaj, ju lutem mos sillni rroba dhe tesha. Ajo që në fakt na duhet janë batanijet, të cilat nuk mjaftojnë tani që afron dimri, shtretër portativë, dyshekë, dhe jorganë. Edhe për ushqime kemi nevojë, kryesisht na duhen ushqime që nuk prishen, pra jo gjëra që konsumohen për sot, por gjëra që kanë një afat skandence fundin e vitit 2020, që të sigurohemi që gjatë gjithë këtyre muajve të kemi mjaftueshëm rezerva në magazinë, për të adresuar edhe familjen më periferike të Tiranës së madhe, sidomos në zonat e fshatit, ku kemi edhe problemet më të mëdha”, shtoi Veliaj.

Gjithashtu, ai falenderoi të gjitha ato subjekte private e figura të njohura publike që kanë dhënë shembullin e tyre për të ndihmuar rimëkëmbjen dhe rindërtimin e banesave të dëmtuara. “Dua të falenderoj shumë Rita Orën, që mori përsipër të adoptojë një shtëpi dhe një familje. Sikur të gjithë ta bënin këtë, atëherë besoj se përpara Krishtlindjes e Vitit të Ri, do të përmbushim një pjesë të madhe të nevojave dhe besoj se kush ka një emër publik, që mund të mbledhë energji financiare apo ndihmash praktike, ta shfrytëzojë. Kjo është dita për të dhënë të gjithë nga një dorë. E bëri Rita, jam i sigurt se mund ta bëjnë edhe plot personalitete të tjera që i kanë mundësitë. Mezi pres që këtë sfidë ta kthejmë në një oportunitet, që Tirana, Shqipëria, të ngrihet më e fortë se ç’ishte para tërmetit”, tha Veliaj.

Ai u bëri apel qytetarëve që të kontribuojnë edhe pranë portalit të qeverisë E-Albania me vlera monetare për të siguruar rindërtimin e zonave pas këtij momenti të parë të vështirë. Mandej shtoi se Bashkia e Tiranës ka ngritur në këmbë gjithë sistemin e saj të emergjencës dhe menaxhimin me transparencë të të gjitha ndihmave të qytetarëve apo subjekteve të ndryshme. “Jemi në magazinat kryesore të Farkës, ku pasi kemi marrë ndihma nga qytetarët, bëjmë një seleksionim sipas veshjeve, sipas masave, sipas nevojave që ka çdo familje, dhe pastaj nga magazina qendrore shpërndahen në të 27 njësitë tona, ku kemi magazinat e vogla, dhe më pas në secilën familje. Kemi një sistem transparent, jemi shumë mirënjohës për gjithë qytetarët që dhuruan, por mënyra më e mirë për të thënë mirënjohjen, nuk është duke përsëritur faleminderit, por duke treguar përgjegjshmëri dhe besnikëri, sesi menaxhojmë të gjithë bujarinë dhe dashamirësinë e tyre. Kemi një databazë, çfarë hyn në magazinë, çfarë del, dhe pastaj i rakordojmë me çdo gjë që shpërndahet në njësi, ku do ta firmosë edhe banori që ka marrë ndihmën”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku bëri të ditur gjithashtu se Tirana përveç plotësimit të nevojave të veta, do të kontribuojë edhe për zonat më të prekura jo vetëm me ndihma, por edhe me kapacitete njerëzore për të ndihmuar në përballimin e kësaj situate

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme