Tirana nuk funksionon me kunetër, por me punë është shprehur kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, pas përfundimit të rikualifikimit urban të bllokut të banimit pranë Pallatit me Shigjeta.
“Një ndër arsyet pse njihet si Pallati me Shigjeta është se Edi Rama, si kryetar bashkie, ishte i pari që vuri dorë në këtë pallat. Megjithatë, besoj se pas katër viteve të gjumit, të gjithë kemi kuptuar se Tirana nuk funksionon me kunetër. Tirana funksionon vetëm me punë, shpresë e optimizëm dhe besoj se vetëm duke zgjidhur çdo ditë nga një problematikë, siç ishte kjo kënetë që kemi pasur tek Pallati me Shigjeta dhe kjo situatë aspak e këndshme ku fëmijët s’kishin një hapësirë, duke e rikthyer në një hapësirë falë duarartëve të Bashkisë dhe të papërtuar edhe në këto ditë vere, vetëm kështu mund të ecim përpara”, tha Veliaj.
Veliaj u kërkoi të gjithë qytetarëve të Tiranës që të zgjedhin administratorin e tyre dhe të bashkëpunojnë për përmirësimin e jetesës në komunitetit, shkruan Top Channel.
“U kërkoj banorëve të bashkëpunojnë me administratorin e tyre për t’i mirëmbajtur këto investime. Është shumë e rëndësishme që pasi mbaron, ta mirëmbajmë investimin. Në momentin që dikush e prish, dikush fillon e saldon hekura, dikush e bllokon, në fakt nuk e ka prishur për një, e ka prishur për të gjithë banorët e tjerë që duhet ta gëzojnë njësoj këtë hapësirë. Kjo është një hapësirë publike, do të thotë që janë të gjithë aksionerë, ndaj është edhe përgjegjësi e të gjithëve që ne ta ruajmë e ta mbajmë”, deklaroi kreu i Bashkisë.
Ndërhyrja në këtë bllok konsistoi në sistemimin e të gjithë hapësirës, ku përveç vendosjes së moduleve të ndryshme të lojërave, u realizua vendosja e stolave, ndriçimit si dhe ndërhyrja në kanalizime që do të shmangë përmbytjet në rast të reshjeve.