Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ia ka ndarë “Çelësin e qytetit” homologut të tij nga Tirana, Erion Veliaj, duke ia kthyer nderin që i ishte bërë më herët.
Edhe ky i fundit e kishte nderuar Ramën me “Çelësin e Tiranës” kur ai kishte shkuar për vizitë zyrtare në kryeqytetin shqiptar, pas marrjes së postit të të parit të Prishtinës.
Kryebashkiaku i Tiranës është duke qëndruar për një vizitë në Prishtinë, derisa takimin e parë e ka pasë me Përparim Ramën i cili e priti në zyrë.
Kryebashkiaku Veliaj tha se ndihet i nderuar që po pranon Çelësin e Qytetit dhe shumë krenar për arritjet e Kosovës, pasi që disa vjet më parë “askush nuk kishte besuar që ajo do të bëhej e pavarur”, raporton Ekonomia Online.
“Në ato vite askush nuk kishte besuar që Kosova do të bëhej e pavarur. Por tashmë është edhe e avancuar me kulturë, siç është ‘Mainfesta’. E kam zemrën plot dhe ndihem i prekur nga ky vleresim. Ne jemi tifozët e juaj më të mëdhenj. Duam të jemi gjithnjë krah për krah”, u shpreh ai.
Veliaj i i cili i takon PS-së së drejtuar nga Edi Rama ka folur edhe për rezolutën në Kuvendit të Shqipërisë lidhur me raportin e Dick Martyt.
“Kryeministri ynë vendosi të marrë aksion ligjor, jo vetëm batuta. I kemi votat për këtë rezolutë”.
“I gjithë fokusi është te Kosova. Pashë dhe shumë gazetarë që kanë shkruar mirë për Prishtinën. Çdo gjë fillon nga gjërat e vogla”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, falenderoi Veliajn për iniciativën që do të merret nga ana e Shqipërisë për zbardhjen e të vërtetës për akuzat për trafikim organesh nga krerët e UÇK-sët, duke thënë se duke i ndihmuar njëri-tjetrit arrihen piedestalet më të larta.
Ai gjithashtu e njoftoi Veliajn për disa nga projektet e Prishtinës, pasi ky i fundit u interesua sidomos për çështjen e trafikut.
“Ideja është të zhvillohemi së bashku dhe ne e shohim Tiranën si vend unik. E shoh që së bashku, t’i ndihmojmë njëri tjetrit, t’i mbërrijmë piedestalet më të larta. Kemi pasur vrull të zhvillimit të sektorit privat, por kemi ngecur në kanalizime e shkolla. Projekti i madh është unaza e mesme. Me marrjen e menaxhimit të kryeqytetit kemi marrë disa vendime”, tha ai, raporton EO.