Ishte minuta e 33-të e derbit ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, edicionin e shkuar, kur frika kaploi të gjithë të pranishmit në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Sulmuesi i ri i Llapit, Valmir Veliu mbeti i shtrirë në tokë pas një përplasjeje me Diar Miftarajn. Veliu pësoi tronditje dhe u nevojit ndërhyrja emergjente e stafit mjekësor, i cili intervenoi me oksigjen për t’ia kthyer vetëdijen futbollistit. Ishin këto minuta ankthi në stadiumin e qytetit të Prishtinës, saqë autoambulanca hyri në fushë për ta transportuar me shpejtësi Veliun drejt emergjencës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Tashmë kjo ngjarje e para dy muajve i takon së shkuarës, por mbetet fitorja më e madhe e tij në karrierën e shkurtër.
“Është fitore, pasi i jam kthyer futbollit”, thotë 19-vjeçari.
Veliu po shikon drejt së ardhmes, që shpreson ta dërgojë në majat e futbollit dhe drejt fitoreve të tjera, atyre sportive.