Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka thënë se janë dallimet programore me Vetëvendosjen i kanë tejkaluar dhe se kanë mbetur edhe disa çështje të tjera për t’u diskutuar sot dhe në ditën në vijim, raporton EkonomiaOnline.
Ai nuk ka treguar nëse sot do të arrihet marrëveshja përfundimtare.
“Dallimet programore i kemi kaluar dhe janë çështjet tjera të cilat kanë mbetur që të diskutohet për sot dhe më tutje”, tha ai.
Këto deklarata Veliu i bëri pas homazheve te varri i Presidentit Rugova, ku tha se me rastin e ditëlindjes po e përkujtojnë liderin që sipas tij la nj trashëgimi të rëndësishme për të cilën do të angazhohen që ta ruajnë e kultivojnë.
“Sot jemi këtu me anëtarët deputetë dhe aktivistët për ta nderuar presidentin Ibrahim Rugova. Për ta nderuar jetën, veprën dhe trashëgiminë e tij edhe politike e shtetërore. Obligimi ynë është ta ruamë e ta dërgojmë përpara”, tha ai.
Ai është pyetur edhe nëse partneri i tyre i ardhshëm VV-ja do të duhej të vizitojë varrin dhe familjen e presidentit Rugova, gjë për të cilën tha se respektimi është pjesë e kulturës dhe se nuk dëshiron të merret me këtë çështje.
“Çështja e respektimit dhe nderimit është pjesë e kulturës secilit është çështje që personalisht ai ka”, tha ai.
Ibrahim Rugova po përkujtohet në 75 vjetorin e lindjes. Ai ishte presidenti i parë i Kosovës.