Pos parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, me kapacitet 105 megavatë, i cili në fund të vitit të kaluar është finalizuar dhe tashmë gjendet në prodhim dhe projekti në Kitkë të Gjilanit, që është në prodhim tani 2 vjet, parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë. Këto vende tashmë janë të verifikuara për mundësitë reale për të ndërtuar parqe të reja të energjisë së erës.
Pas paralajmërimeve jo të pakta nga institucionet e asociacionet kompetente energjetike ndërkombëtare, dhe veçanërisht të BE-së, se deri në vitin 2025 vendet e Ballkanit Perëndimor do të obligohen që të prezantojnë një çmim të karbonit, që do të thotë duhet vendosur një taksë për karbonin, në vendet që kanë qymyrin burimin kryesor për prodhimin e energjisë ekektrike, siç është Kosova, dhe pas objektivit të kushtëzuar që deri më 2030 të arrihet 30 përqindëshi i energjisë së rinovueshme për nevojat e vendit, Kosova kushtimisht ka nisur të preokupohet më shumë për zhillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike, shkruan buletini ekonomik.
Strategjia e Kosovës, sipas zyrtarëve të kësaj fushe, do të jetë mjaft optimiste në vendosjen e caqeve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe në rritjen e efiçiencës së energjisë në industri dhe amvisëri.
Jo një herë në këto kohët e fundit nga autoritet vendimarrëse kosovare është thënë saktësisht se “sa i përket zhvillimit të kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë, konsumi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë do të rritet nga 5% sa është aktualisht në deri në 30% në vitin 2031, dhe deri në 50% deri në vitin 2050″.
Mirëpo, për t’i arritur këto objektiva duhet pasur projekte të burimeve të energjisë së rinovueshme dhe dihet, paratë. Zyrtarët dhe vendimmarrësit duhet të qartësojnë fillimisht me vetveten saktë dhe prerë: ‘Se Kosova nuk ka resurse për t’u mbështetur në këto vite në hidrokapacitete energjetike’. Sepse nuk ka ujë të mjaftueshëm për ndonjë hidrocentral të efektshëm dhe me ndikim për nga sasia e prodhuar e rrymës në konsumin e Kosovës. Por, nëse di dikush se eventualisht ka ndonjë mundësi të vetme për këtë, duhet parë pa humbur kohë dhe me analiza të saktësohet ka apo nuk ka një mundësi të këtillë. Edhe kjo duhet bërë pa humbur kohë. Sepse koha ecën, 2031-shi mbërrinë sa çel e mbyllë sytë.
Në këtë kontekst, duhet parë pas analizave dhe bisedave serioze me palën shqiptare se a ka mundësi reale që Kosova të ndërtojë një hidrocentral me kapacitet goxha imponues në Shqipëri, për çka këto ditë është folur nga ekspertë dhe njohës të zhvillimeve energjetike.
Kosovës, hiç ujin që se kemi me bollëk, për energji të ripërtëritshme më të ngutshme po i mbetën dy alternativat e tjera të mundshme: Ndërtimi i kapaciteteve të energjisë së rinovueshme në bazë të erës dhe në bazë të paneleve solare.
Tashmë nuk ka më dyshime dhe as drojë për mundësitë e prodhimit të energjisë me erë edhe në Kosovë, që është një nga burimet e qenësishme të energjisë së ripërtëritshme, aq të kërkuar dhe sugjeruar nga bota energjetike dhe ajo financiare.
Projekti 105 megavatësh, ose Parku i energjisë me erë, i përbërë nga 27 turbina me fuqi secila nga 3,45 megavatë, ose i tërë projekti me fuqi prej 105 megavatësh, i ndërtuar në Shalë të Bajgorës, është finalizuar i tëri këto ditë dhe ka nisur të prodhojë energji për sistemin elektroenergjetik të Kosovës.
Në prodhim gjendet tashmë e më shumë se dy vjet edhe centrali i erës në Kitkë të Anamoravës. Me 9 turbinat e ndërtuara para dy vjetësh në Kitkë nga ndërmarrja ‘Gurish Holding’ nga Turqia, që kanë kapacitet gjithsej 36 megavatë, tashmë Kosova ka bashkarisht 36 turbina në bazë të erës, të cilat kanë kapacitetin 141 megavatë. Por nuk është e gjitha kjo. Ka kohë që këtu, ekspertë vendor dhe ata nga bota, të interesuar për mundësitë e Kosovës për të prodhuar energji të erës kanë identifikuar edhe disa mjedise të tjera potenciale ku mund të ndërtohen parqe të prodhimit të rryymës me erë.
Pos Shalës dhe Kitkës, janë identifikuar me kohë si vende potencialisht të favorshme për prodhimin e energjisë elektrike në bazë të erës edhe 4 vende të tjera, e që janë Çyçavica, Zatriqi, Budakova dhe Kozhica, ku së bashku me Shalën e Bajgorës dhe Kitkën do të kishte mundësi reale të ndërtohen kapacitete prodhuese të energjisë elektrike me fuqi diku rreth 600 megavatë.
Prodhimi i energjisë me erë, aty ku ka mundësi dhe potencial natyror, tash e tutje dhe sa më shpejtë që është e mundur, duhet të bëhet imperativ te institucionet relevante kosovare dhe te zyrtarët tanë vendimmarrës. Dhe në bazë të ekspertëve të energjetikës, Kosova ka goxha mundësi të mira për realizimin e disa projekteve të prodhimit të energjisë me erë.
Turbinat me erë prodhojnë energji elektrike pa ndotur dhe pa degraduar fare ambientin rreth e qark vendit ku instalohen ato dhe në këtë mënyrë energjia e përfituar nga era është mjaft e rëndësishme si alternativë për më shumë energji elektrike dhe për ruajtjen e ambientit.
Pra, sado që investimet për ndërtimin e parqeve të erës fillimisht kanë kosto relativisht të lartë, më pastaj përfitimet nga ky lloj i energjisë janë të mëdha, sidomos në Kosovën e degraduar në përmasa të frikshme nga ndotja e vazhdueshme që nga vitet e 60-ta kur u ngritë blloku i parë i termocentraleve “Kosova A”, në bazë të thëngjillit.
Termocentralet kosovare (termocantralit “Kosova A” megjithsej 5 blloqe dhe 2 blloqe të “Kosovës B”, me gjithsej fuqi instaluese mbi 1. 1 mijë megavatë-orë energji elektrike) të ndërtuara në Obiliq, dhe në afërsi të drejtpërdrejtë të Prishtinës së mbipopulluar, me emetim shpesh herë të pakontrolluar të CO2, pos degradimit permanent të tokave përreth Obiliqit dhe përreth 2 minierave sipërfaqësore të thëngjillit (në Mirash dhe në Bellaqevc), kaherë kanë paraqitur rrezik evident edhe për shëndetin e popullsisë rreth e qark Obiliqit deri në kryeqytet. Prandaj, prodhimi i energjisë me erë, aty ku ka mundësi dhe potencial natyror, tash e tutje dhe sa më shpejtë që është e mundur, duhet të bëhet imperative te institucionet relevante kosovare dhe te zyrtarët tanë kompetentë, domosdoshmëri.
Dhe në bazë të ekspertëve të energjetikës, Kosova ka goxha mundësi të mira për realizimin e disa projekteve të prodhimit të energjisë me erë. Pas analizave dhe matjeve të shumta vlerësohet se pos parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, me kapacitet 105 megavatë, i cili në fund të vitit të kaluar është finalizuar dhe tashmë gjendet në prodhim dhe projektit në Kitkë të Gjilanit, që është në prodhim tani 2 vjet, parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë, vende këto të verifikuara për mundësitë për të ndërtuar parqe të reja të energjisë së erës.
Kapaciteti i gjithmbarshëm i këtyre projekteve mund të arrinte në 600 megavatë, që do të ishte një prodhim solid, thuaja sa prodhimi i një termocentrali me kapacitet mbi mesataren të energjisë elektrike, dhe që do të ndikonte përfundimisht në stabilizimin e ndjeshëm të sistemit elektroenergjetik të Kosovës.
Por, siç theksojnë ekspertët, dobia më e madhe nga energjia në bazë të erës është ruajtja e ambientit dhe bashkë me të e shëndetit të kosovarëve. Sidoqoftë, zhvillimi i energjive të ripërtërishme, pra edhe energjisë së erës, është fokus i shteteve të Evropës Juglindore përmes nënshkrimit të Traktatit të datës 25.10.2005 (Energy Community, Treaty establishing the Energy Community, 2005) për themelimin e një Komuniteti të energjisë.
Shtetet e Evropës Juglindore janë obliguar ndër të tjera të ngritin efiçiencën, të shkaktojnë më pak CO2 si dhe ta përparojnë shfrytëzimin e energjive të ripërtëritshme në 20% deri në vitin 2020. Vetëm energjia e erës duhet të arrijë kapacitetin prej 150MË deri në vitin 2020.
Kosova këtë kusht e arriti sivjet, pra me ndërtimin e parkut të energjisë së erës në Shalë dhe atë në Kitkë. Tani, duhet të përshpejtohen punët rreth procedurave të nevojshme për të nisur sa më shpejt ndërtimin e kapaciteteve të reja në Zatriq, në Budakovë, në Çyqavicë dhe në Kozhicë. Sa më shpejtë që të nisë realizimi i këtyre projekteve të reja, aq më mirë për Kosovën.