Ndonëse ka pasur një fazë të vështirë përgatitore, Nora Gjakova ia ka dalë të zërë vend në mesin e tetë më të mirave në Kampionatin botëror të xhudos, që është duke u mbajtur në Baku të Azerbajxhanit.
Kampionia aktuale evropiane ka garuar të shtunën në kategorinë deri 57 kilogramë dhe në fund u rendit e shtata. Ishin 52 garuese në kategorinë deri 57 kilogramë, ndërsa Nora ishte bartësja e tretë, shkruan sot “Koha Ditore”. Ajo fillimisht fitoi ndaj marokenes Soumiya Iraoui me Ippon, ndërsa njëjtë fitoi edhe ndaj francezes së njohur Priscilla Gneto.
Në luftën e tretë Nora u ndal nga reprezantuesja e Kanadasë, Christina Deguchi e më pas në repesazh edhe nga jug-koreania Youjeong Kwon. Të dy luftërat ishin të forta dhe u vendosën me “waza-ari”.
Deguchi në fund fitoi të bronztën, ndërsa kampione doli japonezja Tsukasa Yoshida. Ajo në finale e mposhti britaniken Nekoda Smythe-Davis..