Deputeti i grupit parlamentar të djathtë AFD në Bundestag Hansjörg Müller ka thënë se me njohjen e Kosovës është shpërfillur e drejta ndërkombëtare dhe i është hapur “dera ferrit”.
“Ta mbyllim ferrin dhe t’i kthehemi drejtësisë, ta kthejmë Kosovën nën Rezolutën e Këshillit të Sigurimit”, ka thënë ai në një intervistë për gazetën serbe “Novosti”.
Ndonëse, siç thotë ai, shumica e vendeve anëtare të BE-së, në mesin e tyre edhe Gjermania, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ajo, sipas tij, sipas Rezolutës 1244 është “krahinë me autonomi të konsiderueshme brenda Serbisë”.
Sipas tij, “Brukseli e Berlini ndjekin verbërisht politikën amerikane”, për të cilën thotë se “ndjek interesat e saj”.
Ai ka thënë se “u lakmon serbëve” sepse, sipas tij, “nuk janë koloni amerikane”.
Deputeti gjerman para do ditësh ka qenë në vizitë në Serbi.
Partia Afd (Alternativa për Gjermaninë) është themeluar në vitin 2013 dhe është djathtiste e populliste, angazhohet për ndërperjen e bashkëpunimit me eurozonën, kundërshtojnë euron, imigracionin dhe martesat njëgjinore. Në zgjedhjet e vitit 2014 kanë fituar 7.0 për qind teë votave dhe kanë shtatë mandate deputetësh.