Vendi mund të zhytet në një krizë institucionale në mungesë të një presidenti konsensual, krejt kjo për faktin se partitë politike nuk janë të gatshme për bashkëpunim, vlerësojnë analistët politikë.
Mirëpo Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online tha se se partitë politike duhet ta bëjnë kuorumin që Vjosa Osmani të zgjidhet presidente e vendit.
“Partitë politike në fakt duhet të qëndrojnë në Kuvend dhe të bëjnë kuorumin në mënyrë që të zgjidhen të gjitha institucionet. Vendi ynë nuk e ka luksin që të shkojë në zgjedhje të reja veç më ishim dhe ishim në zgjedhje paraprake vetëm një vit më para. Kosovës i duhet qëndrueshmëri i duhen institucione stabile dhe qytetarëve i duhet në fakt që të ketë një vazhdimësi”.
“Nuk mund që për shkak të mos dakordimeve politike koston ta paguajnë qytetarët dhe atë në fakt jemi duke e parë që për shkak të mosdakordimeve politike koston po e paguajnë qytetarët. Prandaj unë do të thoja që është më shumë kërkesë apo pritshmëri e jona që partitë politike të bëjnë kuorumin që të zgjidhen institucionet dhe të mund të ecim përpara me reformat e nevojshme të cilat kaq shumë i duhen Kosovës, qoftë në aspektin e jashtëm ashtu edhe në atë të brendshëm”, është shprehur ajo.
Por sipas Krasniqit partitë politike kosovare po hezitojnë të ja bëjnë kuorumin njëra-tjetrës, andaj ekziston mundësia që të kemi një krizë institucionale e cila mund ta dërgoj vendin në zgjedhje të reja.
“E para është që ne duhet të formojmë Kuvendin, certifikimi i rezultateve ende nuk ka ndodhur, pas konstituimit të Kuvendit është formimi i Qeverisë. Duhet të shohim ende se partia e parë sa vota ka fituar dhe sa do të shkojë, çfarë matematikash do të ketë, koalicionet para formimit të qeverisë apo do të mundet Vetëvendosje dhe Lista Vjosa ta formojnë vetëm Qeverinë, pra i kanë 61 vota apo do të duhet të kenë një koalicion me partitë e tjera dhe më pas është çështja e presidentit”.
“Nëse nuk ka një dakordim mes partive politike për të pasur një kuorum të dy të tretave në Kuvend atëherë që patjetër do të kemi një krizë institucionale e cila mund të na dërgojë në zgjedhje të reja. Ekziston mundësia pasi që duhet se partitë politike ende hezitojnë që të ia bëjnë kuorumin njëra-tjetrës por ajo çfarë neve na mbetet është që na mbetet të themi që partitë politike duhet të bëjnë kuorumin. Kemi parti që në vazhdimësi kanë thënë se janë institucionaliste dhe shohin interesin e shtetit dhe të qytetarëve atëherë është koha që partitë politike të kenë një darkordim mes tyre. Të zgjidhet presidenti dhe vendi mos të shkojë në zgjedhje parlamentare”.
Edhe Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se është mirë që partitë politike të bien dakord për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.
“Ne kemi pasur kësaj radhe një fitore të qartë të një subjekti politik edhe mendoj që ai subjekt politik duhet ta marr përgjegjësinë për qeverisje, këtë radhë edhe për presidentin. Zonja Osmani si kandidate e ka propozuar Lëvizja Vetëvendosje se çka do të bëjnë partitë politike nuk e di, por besoj se ato do të rijnë për shkak se nuk është mirë që vendi prapë të shkojë në zgjedhje sepse kam përshtypjen që nuk ka hapësirë për ndonjë kompromis për një Qeveri koalicioni, ose për një president tjetër”.
“Mendoj që zonja Osmani do të jetë presidente dhe besoj se kjo është e mirë për Kosovën pasi nuk do të kemi arsyetime edhe nga LVV-ja se patëm problem me funksionimin e koalicionit. Pushtetin le ta merr, le ta qeverisë Kosovën dhe ta shohim si do të zhvillohen proceset tjera”, është shprehur ai.
Poashtu Murati ka thënë për EO se për të mirën e vendit duhet të formohen institucionet që vendi mos të shkohej sërish në zgjedhje.
“Për shkak të rezultatit të qartë të zgjedhjeve vullnetit të qytetarëve për ndryshime, atëherë edhe partitë tjera duhet ta kenë këtë mesazh të qartë dhe duhet që fituesit të ia hapin derën. Mos të bëjnë siç ka bërë fituesi sepse mendoj se përdorimi i të njëjtave metoda, taktikat që i ka pasur ai për të ardhur deri këtu nuk do të funksionojnë tek partitë tjera”.
“Pra kanë ndezë te LVV-ja por nuk mund të ndezin te partitë tjera. Janë rrethana tjera dhe mendoj që për të mirën e Kosovës duhet që mos të ketë jostabilitet institucional, mos të shkojmë prapë në zgjedhje”.
Ndërsa menaxheri i programeve në Demokraci Plus, Albert Krasniqi ka thënë se është momenti që partitë politike të zgjedhin një president konsesual.
“Të gjitha partitë politike duhet të tregohen konstruktive sa i përket zgjedhjes së presidentit. Konsideroj që ky është një momentum shumë i volitshëm për të pasur një president konsesual, i cili nuk imponohet nga një subjekt politik”.
“Është në interes të Lëvizjes Vetëvendosje që të formojë sa më parë qeverinë dhe kështu të zbatojë programin e saj Qeverisës dhe për partitë tjera opozitare për të cilat po supozojmë që do të mbesin nuk është momentum i përshtatshëm për zgjedhje, kështu që besoj që të gjitha palët do të duhej të uleshin dhe të kemi një president, i cili do të përfaqësojë të gjithë pra nuk do të ishte një president që vjen vetëm nga një subjekt politik”.
Kurse sipas Krasniqit presidenti do të duhej të ishte propozim që vjen prej opozitës për shkak se kështu do të mund të balancohej pushteti.
“Poashtu konsideroj që do të ishte më e shëndetshme për demokracinë nëse do presidenti do të buronte nga propozimi që vjen prej opozitës për shkak se kështu do të mund të balanconim pushtetin”.
“Një kryeministër që ka kontroll edhe kryetarin e Kuvendit edhe shumicën parlamentare, por edhe mbi presidentin do të mund të mos kishte balancim të mirë të pushteteve. Kështu që nëse presidenti do të jetë prej një propozimi të opozitës atëherë edhe balancimi do të ishte më i mirë”, ka përfunduar Krasniqi për EO.