Vendim historik, Norvegjia do ta njohë shtetin e Palestinës

Prishtinë | 22 Maj 2024 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, të mërkurën në një konferencë për shtyp ka bërë të ditur vendim historik për njohjen e Palestinës si shtet, raporton BBC.

Siç theksoi kryeministri i Norvegjisë, njohja do të hyjë në fuqi më 28 maj.

“Nuk mund të ketë paqe pa krijimin e një shteti palestinez. Në mes të luftës, me dhjetëra mijëra të vdekur dhe të plagosur, ne duhet të mbajmë gjallë të vetmen gjë që mund të sigurojë shtëpi të sigurt për izraelitët dhe palestinezët. Dy shtete që mund të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin”, ka thënë kryeministri gjatë një konference për shtyp.

Store ka thënë se palestinezët kanë të drejtë ta kenë shtetin e tyre.

“Nuk mund të ketë zgjidhje me dy shtete pa një shtet palestinez. Me fjalë të tjera, për paqen në Lindjen e Mesme nevojitet një shtet palestinez”, ka shtuar ai.

Palestina ka konsullatën e saj në Norvegji që nga viti 2011 dhe autoritetet norvegjeze kanë filluar të përdorin “Palestine” në lidhje me territoret palestineze. Më herët në maj, Norvegjia votoi për anëtarësimin e Palestinës në OKB.

Shefi i diplomacisë norvegjeze, Espen Barth Eide, ka thënë në disa raste se njohja është e pashmangshme, por se duhet bërë në koordinim me vendet e tjera.

Vendim të ngjashëm pritet të marrin edhe Irlanda e Spanja.

Së fundmi, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mbajti seancë ku u miratua vendimi për forcimin e statusit të Palestinës dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të rishqyrtojë dhe të mbështesë anëtarësimin e plotë të Palestinës në Kombet e Bashkuara.

Të ngjashme