Ish-presidenti Donald Trump foli të dielën mbi gjasat e dënimit të tij me burg muajin e ardhshëm, pasi u shpall fajtor për falsifikimin e të dhënave të biznesit.
Vendimi për fajësinë e tij po përdoret nga ekipi elektoral i ish-presidentit Trump, ashtu edhe nga ai i presidentit Biden për të mobilizuar mbështetësit e tyre. Por do të jetë më e vështirë që të ndikohen votuesit e pavendosur.
Donald Trump është presidenti i parë i SHBA-së që shpallet fajtor për vepra penale, por sipas njërit prej avokatëve të tij kjo nuk po e zbeh popullaritetin e tij.
“Fushata e ish-presidentit Trump theu rekorde për mbledhjen e fondeve, përfshirë kontribute nga dhjetëra-mijëra donatorë të rinj në 24 orët pas vendimit. Unë mendoj se populli amerikan e sheh këtë gjykim ashtu siç është. Dhe ne sigurisht shpresojmë që ta përmbysim atë në apel”, tha Will Scharf, avokat i ish-presidentit Donald Trump në një intervistë në televizionin ABC.
Gjatë gjyqit, prokurorët argumentuan se zoti Trump falsifikoi të dhënat e biznesit për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016 të cilat ai i fitoi.
Guvernatori demokrat i Merilendit, Wes Moore thotë se shpallja fajtor nuk do ta ndihmojë politikisht ish-presidentin, veçanërisht me votuesit afrikano-amerikanë.
“Ajo që do të rezonojë me këtë komunitet në përgjithësi është fakti që kemi një president si Presidenti Biden, i cili po përqendrohet tek e ardhmja jonë”, thotë ai.
Në një intervistë ekskluzive që u transmetua të dielën në televizionin Fox News, zoti Trump foli për mundësinë e dënimit me burg ose arrest shtëpiak më 11 korrik.
“Nuk besoj që publiku do ta pranonte një gjë të tillë. Nuk besoj se do ta mbështeste. Mendoj se do të ishte e vështirë për publikun ta pranonte, në një moment të caktuar do të shërbente si pikë shpërthyese”.
Ekipi elektoral i Presidentit Biden postoi një pjesë të intervistës në platformën X, të shoqëruar me komentin “i dënuari Trump sugjeron se do të ketë dhunë nëse ai vendoset në arrest shtëpiak”.
Ndërsa vetë Presidenti Biden pritet t’i përmbahet mesazhit se askush nuk është mbi ligjin, ekipi i tij elektoral mund ta përdorë gjithnjë e më shumë vendimin e gjykatës për të sulmuar karakterin e kandidatit të pritshëm republikan, thotë profesoresha e Universitetit të Çikagos, Susan Stokes.
“Ata mund të përqendrohen tek dëshira e tij për të përdorur paratë, fuqinë dhe ndikimin e tij për të shmangur përgjegjësinë për veprimet e tij”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.
Përtej tërheqjes së bazës së tij, zotit Trump duhet të ndryshojë strategjinë për të bërë për vete votues të tjerë, shton prof. Stokes.
“Për shembull gratë në zonat periferike të cilat mund të jenë të pavendosura dhe kanë nevojë për argumente për të parë përtej dënimit”, thotë ajo.
Të dy kandidatët për president pritet të vazhdojnë përpjekjet për të bërë për vete votuesit e pavendosur këtë muaj, në prag të debatit të parë presidencial më 27 qershor. /VOA