Vendimi i fundit i Qeverisë, që të gjitha institucionet publike dhe private parauniversitare të kalojnë në mësim online, po cilësohet i ngutshëm, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Institutit “Ed Guard”, Rinor Qehaja, thotë se vendimi i Qeverisë do të shkaktojë probleme afatgjate në performancën akademike tek fëmijët.
“Vendimi i fundit i Qeverisë për kalim në tërësi në mësimin online për arsimin parauniversitar duket vendim i ngutshëm sa do që ka për qëllim eliminimin nga pandemia, është duke e shkaktuar një problem dhe dëme shumë më afatgjatë tek fëmijët dhe gjendja e tyre emocionale dhe performanca e tyre akademike, rezultate të cila do të na ndjekin si shqetësim për vite me radhë”, u shpreh ai.
Qehaja thotë se shumë nxënës do të mbetën jashtë organizimit të këtij procesi, për mungesë të qasjes në pajisje teknologjike.
“Problemi më i madh tek mësimi në distancë është përfshirja e nxënësve në proces, e kjo përfshin edhe inkuadrimin e tyre dhe interaktivitetin gjatë procesit të mësimdhënësve online, pra sa ata janë të përkushtuar dhe problemi shumë i madh se ky është një numër i madh i nxënësve që hiç fare nuk janë të përfshinë në proces të mësimit online, kjo për arsye të ndryshme qoftë për mos qasje si rezultat i mungesës së pajisjeve teknologjike dhe ambienti familjar dhe vetëdijesimi, dhe të gjitha këto që kontribuojnë tutje në mospërfshirjen e një grupi të fëmijëve në arsimin parauniversitar”, tha ai për EO.
Sipas Qehajës, mbajtja e mësimit në distancë është sfidë për tërë komunitetin arsimor.
“Këtij procesi në fillim ishte një kureshtje e përkushtim i nxënësve mirëpo kjo nuk zgjati më shumë se dy javë, gjithçka pas kësaj periudhe ka qenë shpërqendruese nga fëmijët dhe pa aftësi për t’u përfshirë aktivisht në proces të mësimdhënies, e çka kontribuon këtu është jashtëzakonisht mungesa e socializimit, e interaktivitetit fizik me mësimdhënësit dhe mbi gjitha një kulturë e komunikimit drejtpërdrejt që ekziston tek ne si shoqëri që domosdoshmërish duhesh të flasësh dhe të komunikosh me bashkëmoshatarë dhe mësimdhënës gjatë procesit të mësimit, kjo shihet ai themeli i procesit të mësimdhënies, kapërcimi i po të njëjtës ka qenë i vështirë për të gjithë komunitetin”, tha tutje ai.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (7 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore.
Ndërkaq, institucionet parashkollore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër Covid-19.