Vendimi i ZRrE-së, “e nxorëm vezën nga strofulla që ta hamë sot”

Prishtinë | 10 Shk 2022 | 09:37 | Nga Dardan Velija

Vendimi i ZRrE-së për tarifat e energjisë elektrike është shumë i keq. Me këtë vendim, ne do të djegim sivjet dhe ndoshta në shumë vitet e ardhshme nga buxheti i shtetit ndoshta nga 100.000.000 euro në vit për ta paguar një pjesë të çmimit të energjisë. Këto para të tatimpaguesve do të përfundojnë te gjeneruesit e energjisë në vendet fqinje.

Vendimi është më i keq se propozimi fillestar. Presioni publik nga një pjesë e shoqërisë civile e medias dhe partive politike ishte që vendimi të ishte edhe shumë më i keq. Vendosëm që ta nxjerrim vezën nga strofulla dhe ta hamë sot.

Nëse për 5 vitet e ardhme i djegim kot nga 100 milion për me importu rrymë, kjo i bie që do t’i djegim kot 500milionë euro. Me gjithë ato para, do të mund të adresonim shumë probleme shoqërore që janë akumuluar e mund t’i radhisim me faqe të tëra e do të mund të kapnim shumë mundësi që i kemi para hundës.

Çështje jo-popullore, dhe natyrisht populizmi gjeti shprehje dhe fitoi, në kurriz të interesit publik. Pozita dëshpëroi që ra pre e këtij presioni destruktiv. Paarsyeshëm, në një vit kur nuk ka zgjedhje. Opozita dëshmoi qartë që nuk ka lëvizur fare përpara. Në krejt këtë katrahurë, zëri objektiv s’u dëgjua pothuajse fare. Intelektualët, amkademia e shumë funksione shtetërore e strukën kokën në rërë derisa të kalojë furtuna… pse ta thuash të vërtetën e dhimbshme?

Natyrisht ato 100 milionë euro do të duhet të sigurohen diku sivjet. Qeveria nuk do të guxojë të ndërpresë skemat abuzive, të krijuara përgjatë viteve nga opozita e tanishme. Nga kjo opozitë nuk duket që do të shohim presion konstruktiv. Atëherë, qeveria o do të ulë investimet për të mirën tonë, o do të marri kredi që ne do t’i paguajme ne ose do t’i rrisi tatimet.

Fukaraja i mban tri shpi, thotë populli. Kështu, ne vazhdojmë të financojmë ekonomitë e fqinjve që janë para nesh, dhe mirëmbajmë varfërinë tonë. Nuk dilet nga varfëria duke stimuluar e financuar varfërinë. Nuk është popullore, por është e vërteta.

Çmimi i energjisë duhet të liberalizohet. Secili duhet të paguajë atë që shpenzon, ashtu siç paguajmë bukën, vajin e karburantet. Pjesën më të varfër të popullsisë duhet ta mbështesim, natyrisht. Na duhen shpejt skema shtetërore që stimulojnë investime të shpejta në gjenerim të energjisë, ngrohtore dhe stimulim të izolimeve të objekteve të banimit.

Të ngjashme