Vendimi në Hagë, Gjinali kërkon koordinim Kosovë-Shqipëri: Jo vetëm deklarata, por lobim dhe veprime konkrete

Prishtinë | 03 Tet 2026 | 08:40 | Nga Artiona Çitaku

Vendimi i 16 shtatorit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka rikthyer në vëmendje jo vetëm reagimet në Kosovë e Shqipëri, por edhe mënyrën se si dy shtetet mund ta koordinojnë veprimin e tyre politik përballë zhvillimeve të mëtejshme për procesin në Hagë.

Politologu nga Shqipëria, Ardit Gjinali, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se ky moment duhet të shërbejë për një bashkëpunim më të madh mes Prishtinës dhe Tiranës, duke shmangur deklaratat emocionale dhe duke u fokusuar në veprime diplomatike e politike.

Gjinali e ka cilësuar vendimin si “absolutisht tronditës” për hapësirën shqiptare dhe ka përshëndetur reagimin e Kuvendit të Shqipërisë pas vendimit të 16 shtatorit.

“Patjetër që vendimi ishte një vendim absolutisht tronditës për të gjithë hapësirën shqiptare në rajon, por edhe përtej. Patjetër që dhe Republika e Shqipërisë pati reagimin e saj në lidhje me një fakt tejet tronditës, që kishte lidhje me datën 16 shtator dhe me procesin përkatës në shkallën e parë të Gjykatës Speciale. Vendimi i parlamentit dhe ajo deklaratë e miratuar patjetër që është për t’u përshëndetur. Mendoj që dhe rezoluta e cila dënon krimet serbe është një hap i cili duhet miratuar, dhe në fakt ende nuk është miratuar në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, dhe ky është një hap i cili duhet ndërmarrë në fakt dhe duhet që të ndërtohet një konsensus politik mbi një çështje kaq madhore. Dhe mendoj që do të ishte një hap i rëndësishëm drejt një unifikimi edhe të politikës shqiptare në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Gjinali.

Sipas tij, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë gjatë viteve të fundit kanë pasur një panoramë të komplikuar, për shkak të qëndrimeve të ndryshme politike dhe qasjeve të kryeministrave të të dyja vendeve.

“Nga ana tjetër, patjetër për sa i takon edhe marrëdhënieve të cilat janë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, kemi parë një panoramë të komplikuar në fakt gjatë këtyre viteve, si rezultat edhe i qëndrimeve të ndryshme shpesh nga njëra anë edhe shpesh nga ana tjetër, dhe këtu nënkuptojmë një kronologji e cila fillon në fakt që prej çështjeve të Ballkanit të Hapur, mini-Shengenit ballkanik, disa diskutimeve të cilat më pas kanë qenë edhe propozimeve mbi një konferencë ndërkombëtare për Kosovën në vitin 2023. Por nga ana tjetër, kemi parë absolutisht edhe një protagonizëm të shtuar të të dy kryeministrave secili veçmas, dhe ky protagonizëm patjetër që ka ndikuar edhe në marrëdhënien përkatëse”, është shprehur ai.

Gjinali ka theksuar se mungesa e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive është një nga elementet që, sipas tij, tregon për nevojën e konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve.

“Këtu kuptojmë dhe kujtojmë faktin që përkatësisht kemi një kohë të gjatë që nuk kemi mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive, nga njëra anë, por dhe nga ana tjetër shohim që dhe nuk ka një klimë e cila duhet të ishte në fakt shumë e përshtatshme në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënies mes dy shteteve, të cilat në fakt nuk janë thjesht dy shtete, por absolutisht që janë i njëjti komb”, ka deklaruar Gjinali.

Ai ka kërkuar që për zhvillimet e ardhshme lidhur me procesin në Hagë, Kosova dhe Shqipëria të kenë një qasje të koordinuar politike.

“Nga ana tjetër, mendoj që reagimi i Shqipërisë dhe i Kosovës për sa i takon edhe dinamikave të reja, të cilat kanë të bëjnë patjetër dhe me seancën e apelit edhe me vendimin e mëtejshëm dhe me të gjithë procesin e mëtejshëm të gjykimit, mendoj që duhet të kemi një reagim politik të koordinuar, një reagim politik i cili duhet që të tejkalojë secilën diferencë që ekziston sot mes palëve, përkatësisht mes qeverive, por njëkohësisht edhe mes klasës politike në tërësi”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Gjinali ka bërë thirrje që një koordinim i tillë të mbështetet në diplomaci, lobim dhe veprime konkrete, e jo vetëm në deklarata publike.

“Dhe ky njësim, ky kohezion patjetër që duhet të ndërmerret me arsye të ftohtë, me veprime diplomatike, me lobim efektiv dhe jo thjesht me emocionalitete apo me deklarata të cilat në pamje të parë fitojnë disa duartrokitje, por absolutisht që më pas patjetër që përcjellin një efekt i cili është i dyshimtë ose ndonjëherë dhe negativ në tërësinë e të gjithë proceseve”, ka deklaruar politologu shqiptar.

Sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të shtrihet përtej çështjes së Gjykatës Speciale dhe të përfshijë fusha të tjera.

“Kështu që mendoj që në tërësinë e vet, të dy vendet duhet që të kultivojnë dhe të konsolidojnë bashkëpunimin e tyre, një bashkëpunim të vërtetë, i cili në fakt përtej pjesës politike dhe përtej edhe kësaj faze të gjykimit, duhet që të shtrihet më tej dhe në secilin afrim i cili duhet të ndërmerret në fusha të ndryshme. Patjetër që bashkimi kombëtar nuk është i mundur në kuptimin fizik, por absolutisht që aspekte të afrimit të shteteve me njëri-tjetrin në fusha të ndryshme janë çështje të cilat duhet të ishin një objektiv i qenësishëm i qeverive, pavarësisht emrave të përveçëm të kryeministrave apo partive të cilat qëndrojnë në pushtet në secilin prej vendeve”, ka thënë Gjinali.

I pyetur se kush mban përgjegjësi për mungesën e një takimi apo mbledhjeje të përbashkët të qeverive, veçanërisht në një periudhë kur çështja e Gjykatës Speciale është rikthyer në vëmendje, Gjinali ka thënë se përgjegjësia nuk mund t’i atribuohet vetëm një pale.

“Është një panoramë e komplikuar e cila patjetër që, siç e përmenda disa aspekte më lart, ka filluar në fakt që përpara vitit 2020, më pas ka vijuar edhe pas vitit 2020, edhe njëkohësisht edhe në marrëdhënien e fundit të paktën 6 viteve të fundit, duke parasysh që kanë qenë të njëjtët kryeministra të paktën nga viti 2021 edhe në vijim. Absolutisht që nuk mund të ndërmarrim një përgjegjësi të përveçme, por absolutisht që Tirana patjetër gjithmonë mund të bëjë shumë edhe më shumë për sa i takon, duke pasur parasysh të gjitha mundësitë logjistike nga njëra anë, prezencën ndërkombëtare dhe shumëçka tjetër”, është shprehur ai.

Gjinali ka theksuar se Shqipëria mund të ketë rol më aktiv në koordinimin e qëndrimeve dhe në afrimin e dy vendeve.

“Tirana patjetër që mund të jetë një promotor dhe një aktor proaktiv edhe në ato raste në të cilat mund të gjykohet që një hap i caktuar i Kosovës nuk mund të jetë në përputhje me pritshmëritë përkatëse. Kështu që është detyrë e Tiranës që patjetër të shtyjë përpara edhe të qetësojë dhe të koordinojë dhe të ketë një veprim, siç e thashë më lart, proaktiv politik në përafrimin e mëtejshëm të të dy vendeve”, ka deklaruar Gjinali.

Ai ka thënë se reagimi emocional i qytetarëve pas vendimit të 16 shtatorit duhet të shndërrohet në veprim institucional nga të dyja qeveritë.

“Një moment i cili në fakt është shumë i rëndësishëm dhe momenti emocional i qytetarëve të dy vendeve duhet që të përkthehet edhe në veprimin politik dhe ndërveprimin e qeverive përkatëse”, ka shtuar Gjinali.

Të ngjashme