Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), në takimin e 335-të e ka emëruar Kryesuese të Panelit për Lirim me Kusht, gjyqtaren, Mejreme Memaj, ndërsa anëtar rezervë/zëvendës kryesues, gjyqtarin, Agim Maliqi, të cilët janë deleguar nga Gjykata Supreme e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Mandati i anëtarëve të Panelit për Lirim me Kusht, është dy vjeçar, pa të drejtë rizgjedhje, kurse vendimi hyn në fuqi nga data 31 tetor 2024.
Gjyqtarët Dardan Kadolli dhe Donika Dobruna janë zgjedhur anëtarë në Akademinë e Drejtësisë nga radhët e gjykatave, me votat unanime të anëtarëve prezentë të KGJK-së në këtë mbledhje.
Kryesuesi i KGJK-së para votimit tha se sipas vlerësimit të tij asnjë prej anëtarëve të emëruar nga KGJK në Akademi nuk e ka kryer misionin e vetë deri më tash.
“Për shkak se problematikat e KGJK-së për trajnimet dhe çështjet e tjera që lidhen me zhvillimin e shkathtësive qoftë për administratën, qoftë për gjyqtarët nuk janë përcjellë në mënyrë të duhur – në mënyrë të veçantë nga anëtarët e KGJK-së. Ndaj mendoj se kushdo që zgjidhet duhet të ketë një relacion direkt me Këshillin sepse përfaqëson politikat e Këshillit në Akademi”.
Edhe Vilard Bytyqi, anëtari i KGjK-së, tha se të gjithë kandidatët e propozuar, duhet ta kryejnë me dinjitet këtë punë.
“Për këta kolegë cilido që të jetë do të vlerësoj që këta kolegë ta kuptojnë që janë përfaqësues të Akademisë së Drejtësisë dhe është e rëndësishme që ta kenë një bashkëpunim të fortë”, ka thënë Bytyqi.
Në mbledhje u miratua edhe draft-memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, raporton EO.
Po e ashtu u votuar edhe për themelimin e Panelit për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për gjyqtarë në Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale.
