Prodhuesit gjermanë të makinave po tronditen nga njoftimi për tarifat e reja prej 25% për automjetet që importohen në SHBA.
Aksionet po goditen në tregtinë e hershme në Frankfurt, ku BMW ka rënë me 4.2%, Volkswagen ka humbur 3.3% dhe Mercedes-Benz ka rënë me 4.1%, shkruan The Guardian.
Jochen Stanzl, kryeanalist i tregut në CMC Markets, tha se tarifat e reja të Donald Trump “do ta përkeqësojnë ndjeshëm situatën për prodhuesit gjermanë të makinave”, duke shkruar:
“Bashkimi Europian tani ka për detyrë të negociojë përjashtime, ku vetëm pjesa e secilës makinë që nuk prodhohet në SHBA do të jetë subjekt i tarifave. Megjithatë, jo të gjithë prodhuesit do të kenë sukses njësoj në këto negociata dhe është shumë e mundur që disa automjete të mos jenë më të disponueshme në tregun amerikan për shkak të humbjes së konkurrueshmërisë. Situata komplikohet më tej nga zbatimi i pritshëm i tarifave për pjesët e makinave në maj, gjë që do t’i përkeqësojë edhe më shumë sfidat për prodhuesit e automjeteve.”.
“Tarifat e reja do ta rëndojnë ndjeshëm situatën për prodhuesit gjermanë të makinave, fitimet e të cilëve tashmë kanë pësuar një goditje të madhe. SHBA është një partner tregtar kyç; për shembull, 80% e shitjeve të Volkswagen në SHBA janë importe, ndërsa për Mercedes-Benz kjo shifër i kalon 60% dhe për BMW është rreth 50%.Mbetet vetëm të shpresojmë se Trump do t’i përdorë këto tarifa si një mjet presioni për të negociuar një marrëveshje më të mirë”, shkroi Stanzl.