Monografia “Carrabregu – Në gjurmët e historisë dhe traditës”, e ma. Arton Loshajt, është përpjekje serioze e autorit në fjalë, që para së gjithash lexuesit të rajonit të Deçanit, por edhe komunitetit artdashës në të gjithë hapësirën shqiptare në përgjithësi, t’ia sjellë një studim të mirëfilltë mbi zanafillën, artin, kulturën dhe traditën e fshatit të tij të lindjes, Carrabregut të Epërm.
I mbështetur në dokumente e fakte historike, autori i këtij libri, me shumë fanatizëm ka arritur që t’i përmbledhë në detaje ngjarjet që kanë lënë gjurmë në jetën e banorëve të kësaj ane, pa harruar që ta vë në pah edhe punën e përkushtimin e personaliteteve të shquara me të cilat është karakterizuar historikisht kjo pjesë e Rrafshit të Dukagjinit.
Në librin Carrabregu…autori Loshaj nuk lë pa përmendur edhe prijësit fetarë të vendlindjes, por edhe të disa fshatrave përreth, roli i të cilëve ishte i pakontestueshëm në edukimin e brezave të tërë duke e brumos tek ta, para së gjithash, ndjenjën e atdhedashurisë, e duke e kultivuar edhe më tej harmoninë fetare me të cilën është karakterizuar përgjatë historisë populli shqiptar.
Përveç pasqyrimit të historikut të fshatit të tij të lindjes dhe personaliteteve që me veprimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë në ato anë, në Kosovë, por edhe më gjerë, autori nuk ka pasur se si të mos e përmend dhe të mos pasqyrojë ngjarje e rrëfime që të lënë pa frymë nga lufta e përgjakshme që është zhvilluar në vitet 1998-1999 në Deçan dhe rrethinë (në tërë Kosovën), duke e vënë në pah heroizmin dhe qëndresën e bijave dhe bijve më të devotshëm të kombit, të cilët u rreshtuan në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sinonim i pavarësisë së vendit tonë.
Duke e ushtruar për shumë vite edhe vet profesionin e shenjtë të mësimdhënies, përqasja e profesor Loshajt kundrejt autoriteteve të shumta që mbajtën gjallë arsimin shqip në ditët më të vështira për Kosovën, atëherë kur vihej në pikëpyetje ekzistenca jonë kombëtare, zë vend të posaçëm në librin e tij.
Në rrethanat e një pushtimi klasik në të cilin gjendej Kosova në vitet ‘90, ish-sportistë të dëshmuar dhe njerëz të kulturës të trevës së Deçanit, nuk kishin lejuar që këto aktivitete kaq të rëndësishme të jetës shoqërore të mbeteshin në margjina. Përkundrazi, edhe pse në kushte tejet të vështira, sporti, arti e kultura nuk kishin ngelur prapa në hapin e kohës, dhe duke qenë kështu, në librin monografik të ma. Arton Loshajt, ka zënë vend me rëndësi pasqyrimi i përkushtimit të këtyre njerëzve në këto lëmi, e që pa mëdyshje gëzojnë respekt te gjeneratat e reja.
Në këtë vepër dokumentare, në shumë pasazhe të saj, me shumë të drejtë autori përmend dhe shpreh mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës, pa ndihmën e së cilës të gjitha ndërmarrjet vullnetmira, vështirë se do të mund të realizoheshim. Andaj, studiuesi Loshaj, me shumë sentiment shpërfaqë këtë mirënjohje, kur ndër të tjera, shkruan: “Ata (mërgimtarët) meritojnë ta kenë një përmendore ku do të skalitej emri i secilit veç e veç, anipse emrat e tyre janë të skalitur në zemrat e secilit banor të fshatit Carrabreg”.
Në këtë libër monografik, i cili do të shndërrohet edhe në pikë reference për librat e autorëve të tjerë të mundshëm që do të merren me këtë e tematika të ngjashme në të ardhmen, Loshaj është nisur nga një dhe e vetmja premisë, që nëpërmjet kësaj vepre, gjeneratat që vijnë pas nesh, ta kenë mundësinë që të kthehen e rikthehen në të kaluarën e të parëve, por edhe të brumosen me traditën dhe idealet e pastra me të cilat veçohet vendlindja e tyre.
Gjeniu i letrave shqipe, dijetari më i madh shqiptar i shek. XX, Faik Konica, shkruan: “Lyrismi nuk ka punë me kritikën”. E vërteta është se studiuesin Arton Loshaj e kam mik, dhe i përkasim së njëjtës gjeneratë në studime, por në këtë përqasje timen e them me shumë përgjegjësi se i kam qëndruar besnik porosisë që na e ka lënë gjeniu i shkrimit shqip.