Një është e sigurt, sipas atyre që janë përfshirë në këtë biznes: edicioni 2019/20 në Superligën e Kosovës në futboll, që nis më 17 gusht, do të jetë më i forti i zhvilluar ndonjëherë. Arsyeja është vetëm një: investimi i madh i klubeve.
Kur kanë mbetur edhe dy javë gati deri në mbyllje të afatit kalimtar, 12 ekipet elitare tashmë kanë bërë 95 përforcime, e shumë lojtarë të tjerë janë paralajmëruar se do të vijnë.
Numri i madh i transferimeve nuk vlerësohet faktor kyç, por cilësia e lojtarëve të angazhuar. Dhe këtë verë në Kosovë kanë ardhur lojtarë me përvojë të madhe në ligat rajonale, sidomos nga Shqipëria.
Ekip kampion deri më tash, sa u përket transferimeve, mbetet Llapi. Skuadra që drejtohet nga trajneri Tahir Batatina ka siguruar 14 përforcime.
Keq nuk qëndron as Ferizaj, që u mobilizua i fundit, duke siguruar 13 futbollistë, derisa dy klubet gjilanase, Drita dhe Gjilani, tash për tash janë ndalur me nga nëntë përforcime. Po aq i ka edhe skuadra e Ballkanit nga Theranda.
Një pjesë e lojtarëve të transferuar deri më tash janë të dëshmuar, sidomos në Superioren e Shqipërisë. Këtu bëhet fjalë për lojtarët si Sebino Plaku (Llapi), Tomislav Bushiq e Gerhard Progni (Gjilani), Izair Emini e Gilberto Fortunato (Drita).
Edhe skuadra e Prishtinës nuk ka qëndruar duarkryq, duke transferuar tetë futbollistë, por këtë herë bardhekaltrit u kanë besuar futbollistëve të dëshmuar në Kosovë si Ahmed Januzi, Endrit Krasniqi, Alban Shillova e portierin Eglant Haxho.
Prishtina është afër të transferojë edhe reprezentuesin e Shqipërisë, Leonit Abazi nga Skënderbeu.