Në 24 orët e fundit në Kosovë janë kryer 589 testime për Covid 19 nga mostrat e marra në terren nga laboratori i IKSHPK’së si dhe në disa laboratorë tjera private. Por numri i testimeve në Kosovë duhet që të rritet dhe më shumë. Kështu po vlerësojnë zyrtarë të OBSH’së që veprojnë në Kosovë. Ata thonë se rreziku nga Covid 19 ende nuk ka kaluar. Javë e muajt në vijim do të jenë të rëndë sipas tyre. Por, Ministria e Shëndetësisë thotë se situata epidemiologjike në Kosovë po përmirësohet.
Që situata epidemiologjike të tregojë qartë se në Kosovë kanë filluar që të bien numrat me infeksionin Covid 19, vendi duhet që për dy javë rresht të ketë rënie të rasteve. Vetëm atëherë tregohet pasqyra e qartë se si qëndron Kosova me infeksionin Covid 19.
Kështu thotë për Gazetën Express – Isme Humolli, zyrtare për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Thotë se shifrat e larta me Covid 19 mund të rikthehen sërish gjatë javëve të ardhshme.
“Nuk duhet që të fitojmë komoditet. Për të ardhur në përfundim se numri i rasteve në Kosovë me Covid 19 është duke rënë, duhet që së paku për dy javë çdo ditë rresht të kemi rënie. Është mirë që kemi rënie të lehtë tash të rasteve. Mirëpo duhet të jemi të përgatitur”, thotë ajo.
Megjithëkëtë, Humolli shprehet se vendi duhet që të bëjë më shumë testime për Covid 19. Testimi sipas saj dhe zyrtarëve të tjerë të OBSH’së është e vetmja pasqyrë për të parë se ku gjendet Kosova në raport me pandeminë Covid 19.
“400 testime 500 testime normalisht që nuk janë mjaftueshme për ta parë qartë dhe reale situatën në Kosovë. Fatkeqësisht kjo për momentin është situatë reale. Për një kohë shumë të shkurtë edhe do të rritet numri i testimeve”, thotë ajo.
Por, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë po vlerësojnë se situata epidemiologjike sa i përket Covid-19 në Kosovë është në përmirësim e sipër, por që sipas tyre ka ende shumë nevojë për kujdes dhe zbatim të masave në fuqi.
“Është i parakohshëm çfarëdo lehtësimi në këtë situatë dhe të menduarit se pandemia po shkon kah fundi. Sigurisht, për aq sa ka raste pozitive që regjistrohen dhe raste të vdekjeve, situata konsiderohet serioze dhe duhet kuptuar kështu”, kanë deklaruar zyrtarë nga MSh’ja.
Ndërkaq sa i përket rritjes së numrit të testimeve për Covid 19, nga MSH deklarojnë se janë në diskutim më IKSHPK’n, SHSKUK’në e komunat për t’u përgatitur për skenarët e mundshëm.
“Sa u përket shifrave, ato janë nga mostrat e analizuara. Sot ka numër më të madh të mostrave dhe një rezultat me të mirë së ditëve të kaluara për sa u përket rasteve pozitive me Covid-19. Numri i pacienteve të hospitalizuar në rënie, gjithashtu është një indikator për t’u konsideruar si diçka pozitive, por MSh është e angazhuar me IKSHPK-në, SHSKUK-në dhe Komunat që të vazhdoje me aktivitete për zbatimin e masave dhe për t’u përgatitur për secilin skenar të zhvillimit të situatës”, thuhet në përgjigjen e MSH’së për Gazetën Express.
Megjithëkëtë që vendi të jetë i qetë nga Covid 19, maskat duhet që edhe për një kohë të vazhdojnë të mbesin obligative. Kështu po thekson Isme Humolli nga OBSH’ja.
“Rënia e numrit të rasteve ka ndodhur si paosjë e masave të marra nga ana e Qeverisë së Kosovës. Por në javët e ardhshme duhet që të jemi më të përgatitur. Maskat duhet të jenë obligative, distancomi fizik e higjiena janë shumë të rëndësishme”, thotë ajo.
“Vendosja e maskës duhet të jetë obligative sidomos në shtetet që karakterizohen me një kulturë të përqafimit fizik sikur e kemi Kosovën”, shprehet tutje Humolli.
E ndërkohë në 24 orët e fundit më Kosovë u konfirmuan të mërkurën edhe gjashtë viktima nga koronavirusi dhe 76 raste të reja pozitive.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi se rastet e reja rezultojnë nga testimi i 589 mostrave.
Sipas raportit të Institutit, në 24 orët e fundit janë shëruar edhe 144 pacientë.
Me këto shifra, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 14,377, i viktimave në 574 dhe i të shëruave në 10,926. Aktive, ndërkaq, mbeten edhe 2,877 raste.
Kosova i ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
Aktualisht, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale janë të shtrirë 347 pacientë; prej tyre, 263 janë të infektuar me koronavirus.
Sipas raportit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, katër pacientë janë në respiratorë, 22 në makinat e frymëmarrjes CPAP, ndërsa 231 të tjerë janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.